Bani: Me gjysmë kapaciteti, GJKKO ka shqyrtuar 99% të çështjeve të regjistruara

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Erjon Bani, zëvendëskryetar i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i pranishëm në tryezën e drejtësisë të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, tha se aktualisht GJKKO-së ka shqyrtuar mbi 99% të çështjeve, pavarësisht se janë me gjysmë kapaciteti sa i përket burimeve njërëzore.
“GJKKO është e hapur, statistikat tregojnë në fakt po t’i referohemi nga viti 2020 deri në vitin 2024 kemi pothuajse mbi 1400 vendime në vit që janë shtuar. Konkretisht në 2020 kemi 2135 vendime, në vitin 2024 kemi 3585 vendime të dhëna nga GJKKO ku duhet theksuar fakti se jemi pothuajse me gjysmën e kapaciteteve të gjyqtarëve. Produktiviteti i Gjykatës së Posaçme me thuajse gjysmën e kapacitetit të burimeve njerëzore është thuajse 99%”, u shpreh Bani.
Bani tha se “ndryshe nga gjithë gjykatat e tjera, nuk ka asnjë lloj krahasueshmërie sa i përket cilësisë së çështjeve, problematikave, numrit të të pandehurve, volumit, që do të thotë kjo e vështirëson punën, kur nuk kemi as ndihmësa ligjorë”.
“Për të arritur këto objektiva, për të rritur cilësinë e dhënies së shërbimit të drejtësisë, duhet të punojnë jo 5 ditë, por 7 ditë, jo vetëm brenda orarit zyrtar, por edhe jashtë orarit zyrtar”, tha Bani.
Bani u ndal edhe tek transparenca, duke theksuar se 100% të vendimeve publikohen në faqen zyrtare.
“Sa i përket të dhënave statistikore dhe transparencës, GJKKO është njohur dhe me raportin e vitit të kaluar dhe tashmë dhe më mbështetjen e KLGJ-së, tashmë GJKKO publikon 100% të vendimeve të saj në faqen zyrtare të gjp.gov.al”, tha Bani. /j.p/