Banjat e Bënjes në Përmet me turistë, Rama: U tentua të krijohej vatër e re nxitjeje, fitoi e vërteta

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme lidhur me investimin në Banjat Termale të Bënjës në Përmet.
Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje me turistë e vizitorë të shumtë të cilët kanë zgjedhur të kalojnê fundjavën në Përmet dhe që festojnë nën ritmet e muzikës popullore te Banjat e Bënjës.
” LIVE nga Banjat “e shkretuara” Termale të Bënjës, Përmet”, shprehet Rama krahas pamjeve me atmosferë festive të turistëve.
Kreu i Ekzekutivit thekson se shumë dezinformim u shpërnda për 48 orë rresht dhe se u tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje.
“Me shumë dizinformim e montazhe provokuese të shpërndara nëpër kanalet sociale 48 orë rresht nga flamingot me qeleshe të bulevardit dhe me fryrjen e pandalur të Algoritmit të urrejtjes, u tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje… ‘, shprehet Rama.
Më herët, Kryeministri ka theksuar se “fatmirësisht, ndryshe nga Zvërneci, ku nuk ka ende një projekt për t’ua përplasur si shuplakë të realitetit të tërë këtyre lajmësve të errësirës prej nga Shqipëria ka dalë e ku Shqipëria nuk do kthehet më kurrë, Banjot Termale të Bënjës janë një shembëlltyrë e Rilindjes Urbane, që i përqesh me neveri pamjet e shpërndara anembanë kanaleve sociale, ku duke vënë kujën për betonizimin e për tharjen e ujrave nga kuçedra e korrupsionit, u synua ringritja e protestës së lodhur të bulevardit me të njëjtin inxhinjerim digjital si për Zvërnecin”.