Mbeti i bllokuar në kanionin e Gjipesë, policia e Dhërmiut i shkon në ndihmë turistit rumun

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Policia e Dhërmiut në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, shpëtuan një turist rumun i cili kishte mbetur i bllokuar në kanionin e Gjipesë.
Policia bëri me dije se pas njoftimit të marrë se një turist, 45 vjeç, me shtetësi rumune, kishte thyer këmbën dhe kishte mbetur i bllokuar në thellësi të Kanioneve të Gjipesë, menjëherë i shkuan në ndihmë.
Sipas policisë, falë reagimit të shpejtë dhe përdorimit të pajisjeve të specializuara të kërkim-shpëtimit, pasi terreni ishte shumë i vështirë dhe me rrezikshmëri për jetën, u bë e mundur nxjerrja e sigurt e turistit nga zona ku kishte mbetur i bllokuar.
Më pas, ai u transportua në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
/m.q/r.e/