E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore do të dyfishojë financimet në Shqipëri

06-10-2012 / Gazeta 55

Institucioni më i rëndësishëm financiar i globit ka vlerësuar performancën ekonomike të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një “histori suksesi”. Philippe H. Le Houerou, Zëvendës President i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore deklaroi dje se “Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i një partneriteti efektiv dhe të frytshëm mes një vendi dhe institucionit tonë”
 
Vlerësime pozitive dhe optimiste për zhvillimin ekonomik në Shqipëri vijnë nga autoritete të lartë të Bankës Botërore. Me rastin e 20 vjetorit të aktivitetit të Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, Zyra e Bankës në Tiranë organizoi dje një konferencë për të festuar historinë e gjatë të partneritetit me vendin. Në konference u risoll kontributi i shumëfishtë i Bankës Botërore për progresin ekonomik, njerëzor dhe institucional të vendit. Të pranishëm ishin Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të kabinetit, përfitues të projekteve, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile, medias, partnereve për zhvillim etj.
Jane Armitage, drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore vlerëson se në kulmin e një krize ekonomike, vendi ynë ruajti ritme pozitive të rritjes. Armitage parashikoi një rritje ekonomike prej 1 për qind këtë vit, për shkak të përkeqësimit të mjedisit të jashtëm. Armitage theksoi se, bordi Bankës Botërore ka rritur financimet në Shqipëri në vitet e fundit, që sipas saj pothuajse do të dyshohen në vitet e ardhshme.
“Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme partneriteti me Shqipërinë në punën tonë në sferën teknike, financiare dhe përmes këshillimit për politikat, si dhe në shumë aspekte të nevojave për zhvillim. Mbështetja jonë për Shqipërinë mbështetet mbi eksperiencën e gjatë botërore të Bankës në punën me vendet në zhvillim”, tha ajo.
Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se sukseset e përbashkëta janë të shumta dhe se politikat e ndjekura kanë qenë shumë të rëndësishme për transformimin e suksesshëm të vendit qoftë në zhvillimin e sektorit financiar, klimës së biznesit dhe menaxhimit ekonomik. Pjesëmarrësit në këtë konferencë vunë në dukje bashkëpunimin konstruktiv të Bankës Botërore me qeveritë e njëpasnjëshme, të gjithë aktorët e interesit dhe partnered për zhvillim, si dhe ndikimin e projekteve të financuara për rritjen e qëndrueshme në rrugën drejt integrimit në BE.
“Gjerësisht e referuar në raportet e Bankës Botërore si, ‘një histori suksesi e zhvillimit’ dhe ‘një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë’, Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i një partneriteti efektiv dhe frytshëm mes një vendi dhe institucionit tonë”, tha Philippe H. Le Houerou, Zëvendës President i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, në përshëndetjen e tij dërguar për këtë rast.
“Si në çdo partneritet, të dyja palët kanë mësuar, kanë ndryshuar dhe u janë përshtatur realiteteve të reja”, tha ai.
Gjatë 20 viteve të fundit, Shqipëria dhe Banka Botërore kanë zgjeruar partneritetin dypalësh apo shumëpalësh, me institucione të tjera zhvillimi dhe aktorë të tjerë joqeveritarë si një çelës për të qenë në krah të ideve dhe eksperiencave të reja, duke besuar se procesi i integrimit në BE është nxitësi më i mirë progresit të vazhdueshëm ekonomik dhe social të vendit.
“Pas 20 vjetësh plot arritje dhe mësime, ne jemi më të përgatitur për të punuar së bashku për fazën tjetër të zhvillimit të Shqipërisë dhe axhendën e integrimit në BE, tha Kseniya Lvovksy, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, pres të festoj edhe shume suksese të tjera të vendit në të ardhshmen”.
Gjatë fjalës së mbajtur, numri një i Financave shqiptare, Ridvan Bode vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore në vite, e cila kontribuoi në kalimin e Shqipërisë nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme - të larta. Bode ftoi institucionet e zhvillimit të investojnë në fusha strategjike të vendit.
Në takimin e Bankës Botërore ishte i ftuar edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, i cili theksoi se organizmi që ai përfaqëson është angazhuar në shumë projekte të rëndësishme e të suksesshme në Shqipëri, për të cilat është konsultuar me Bankën
Shqipëria u bë anëtare e Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri në vitin 1992 dhe Banka Botërore ka qenë një nga burimet kryesore të mbështetjes së zhvillimit, gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit. Që prej fillimit, Banka ka financuar 71 projekte me një shumë totale prej 1,2 miliardë dollarësh. Ajo ka ndihmuar Shqipërinë teknikisht, financiarisht dhe përmes këshillimit për reformat në pothuaj çdo aspekt të nevojave të saj të zhvillimit.
 
Deklarata/Berisha: Banka Botërore, 20 vjet ndihmë të çmuar në zhvillimin e Shqipërisë
 
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje, në 20 vjetorin e prezencës së Bankës Botërore në vendin tonë ndihmën që ka dhënë Banka Botërore në zhvillimin e Shqipërisë. Berisha theksoi se falë ndihmës të Bankës Botërore u ndërtuan shkolla, spitale, rrugë, etj.
Kreu i qeverisë falënderoi ish-drejtuesit e Bankës Botërore për kontributin që kanë dhënë në vendin tonë.
“Këta burra dhe gra erdhën në Shqipëri me një përkushtim e respekt të madh në këtë vend që 20 vjet më parë përpëlitej në mjerimin më të thellë. Ata në zemër të Evropës do të gjenin Ugandën dhe Angolën, çka ishte një befasi e madhe dhe e pabesueshme. Do të gjenin zyrtarë që kishin njohuritë më minimale për sistemin që do të ndërtonin”, tha Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, universi i reformave për të cilat ata u bën promotorë, së bashku me autoritetet shqiptare, i shndërruan ata në aktorë kryesorë të transformimit epokal të Shqipërisë.
“Prapa urave, rrugëve, shkollave, spitaleve, qëndrojnë këta që punuan për sjelljen e parametrave të vendeve të lira. Banka Botërore në këto 20 vjet ka qenë avokate e dhimbsur dhe e shkëlqyer e interesave të shqiptarëve. Ky institucion ka bërë gjithçka që t’i zbusë këto dhimbje. Institucioni ka nderuar parimet mbi të cilat është ndërtuar”, tha Berisha.
Ndërsa solli në vëmendje se, “Shqipëria kaloi një nga momentet më dramatike me skemat piramidale, dhe një burrë si Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore gjeti integritetin për të kërkuar falje publike, pasi nuk arriti të ndalte ngritjen e piramidave në Shqipëri. Unë se kam akuzuar ndonjëherë, por mendoj se ndoshta duhet të kishte qenë më i vëmendshëm në parandalimin e tyre”, theksoi kreu i qeverisë.
Sipas Kryeministrit Berisha, Banka Botërore ka ditur të përshtatet me stadet e zhvillimit të vendit.
“Shqipëria ka kaluar në nivelin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe BB ka ofruar projekte shumë të rëndësishme si projektet energjetike, për rrugët, të cilat synojnë të mbrojnë më shumë këtë vend nga kjo krizë e thellë që mesa duket do të jetë afatgjatë”, tha ai.
Gjithashtu, kryeministri Berisha shprehu besimin se investimet janë përcaktuese për mbrojtjen e Shqipërisë nga kriza.
“Për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe afrimin në BE duhet të kemi të qartë se Shqipëria nuk mund të integrohet në BE si një vend i varfër. Duhet të bëjmë gjithçka të arrijmë nivelin e vendeve të zhvilluara”, tha Kryeministri Berisha.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›