Matrapazët politikë
Rama me grupin “miliardero-neobllokmen” shtiren si politikanë parimorë, kur po tregojnë se nuk janë veçse ca matrapazë politikë. Ata kanë fantazi të zhvilluar për të nxjerrë fitime të padrejta nga allishverishe politike. Duke mos patur parime, janë të talentuar për të mashtruar. “Kushtet” i kanë si “leva e Arkimedit” për të ngritur peshë sovranin, që ky t’u bindet nga frika se mos këta nuk votojnë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ndërsa dhembshurínë e tyre të shtirë ndaj shtresave në nevojë e kanë shndërruar në programin hipokrit të “rilindjes” së mjerimit të hershëm komunist. Ndërkohë që, si ithtarë të teorísë së marrjes së pushtetit me dhunë, këta “idealistë të pilafit” po zbatojnë sistemin e vjetër të pengut. Dhe këtu po tregohen aq harbutë, sa po i heqin politikës çdo moral duke e shndërruar atë në një pazar ordiner. Sepse, si matrapazë po kërkojnë “haraç” edhe për çdo lëshim që e lypin interesat madhore të Shqipërísë. Kurse, për të marrë pushtetin në tavolinë, ngulmojnë me prepotencë të vendosin diktatin e pakicës ndaj shumicës. Dhe dihet që ky diktat synon të injorojë garën e ndershme elektorale dhe të ngrejë si flamur devizën despotike “Shteti jam unë !”. Këtë qëndrim këta e mbajnë, sepse nuk duan të pajtohen me humbjen që po u troket në derë. Ndaj dhe shpifin duke akuzuar mazhorancën si dështake, ndërkohë që shtiren vetë si viktima të saj. Prandaj vënë vazhdimisht “kushte” për të favorizuar një fitore të tyre të mundshme, të pamerituar. Kurse kohët e fundit kanë hequr maskën e kameleonit dhe po veprojnë sipas devizës së ish - Sigurimit të Shtetit : ”Nëm të të jap !”, me të cilën u tentua dikur degradimi moral i Shqipërísë. Por matrapazët socialistë janë dhe ithtarë të teorisë staliniste “o me ne, o kundër nesh!”, prej nga u buron sot kërkesa arrogante për të arritur me çdo kusht një fitore të pamerituar, duke mashtruar një elektorat të pakënaqur prej tyre. Ndoshta prandaj janë dhe nihilistë, mohues të çdo suksesi të kundërshtarit, shkelës të aspiratave madhore të popullit ! Prandaj, sado që mazhoranca tregohet tolerante duke u bërë dhe lëshime të shumta në kërkesat e tyre, ata përsërí sajojnë të tjera “kushte”. Ata kërkojnë pazare, si ca lloj lypsarësh të paturpshëm, që dinë të shfrytëzojnë dobësitë njerëzore të çdo mirëbërësi. Por kjo u zbulon paaftësínë për të bërë politikë, qibrën e miliarderëve, si dhe kapadaillëkun e neobllokmenëve ! Kjo u nxjerr në shesh edhe se janë pasuesit e asaj politike enveriste, e cila, për pushtetin e paligjshëm, mbajti 50 vjet peng jetën e tre milionë shqiptarëve. Këta matrapazë socialistë po tregohen edhe si antishqiptarë, kur dalin kundër çdo lloj mirëkuptimi, që do të favorizonte realizimin e aspiratave madhore të sovranit, për integrimin e tij në Europë. Këta janë aq refraktarë, sa dhe haxhipishmanë. Ata kanë arritur sa të mohojnë sot atë që kanë propozuar vetë dje. Ndërsa, si obstruksionistë kapadainj, po tregohen edhe nihilistë të pacipë. Të yshtur nga arroganca e harbutërísë miliardere e hajdutëve të tyre të “aristokratizuar” nga paraja e pistë, si dhe nga dinakëría cinike e neobllokmenëve, këta xhambazë janë shndërruar edhe në frymëzues të pacipë të një dëshpërími të frikshëm për popullin. Ata përpiqen t’u shuajnë shqiptarëve, madje dhe “shpresën” për të dalë nga krizat e sajuara prej tyre. Po ku, vallë, i ka rrënjët matrapazllëku i këtyre “humanistëve”, që ulëríjnë për taksa të ulëta ? Tashmë të gjithë e dinë se dhe vetë cinizmi i tyre i ka rrënjët tek mjerimi i djeshëm kolektiv i komunizmit, si dhe tek “barazía në mjerim” e “skllevërve” të diktaturës. Prandaj matrapazët socialistë, të edukuar me psikologjinë e fitimit të padrejtë, e kanë shndërruar matrapazllëkun politik në artin e gënjeshtrave të tyre të reja. Ata u mësuan të mos i jepnin askujt llogari për vjedhjet skandaloze dhe gjithë grabitjet masive. Ata e detyruan me dhunë shqiptarin të bënte “pazar” me kërkesat perverse të diktaturës. Socialistët neobllokmenë nuk i njohin të drejtat e njeriut. Të gjitha marrëdhëniet me popullin ata i patën ndërtuar dje dhe po tentojnë t’i ndërtojnë edhe sot mbi bazën e një marrëveshjeje të paturpshme, ngritur mbi frikën, urinë dhe gënjeshtrën. Edhe pazarllëku i komunizmit me qytetarët e vet nuk njihte moral. Ai shkelte çdo dinjitet njerëzor, kur kërkonte që dhe nëna të shpifte për të birin dhe anasjelltas. Dhe kjo frymë “pazari”, me prepotencë, ka ardhur deri në ditët tona, në demokrací dhe po i vë sot “kushte” mazhorancës aktuale duke kërkuar madje deri dhe frenimin e aspiratave më të larta, që ka populli për t’u bashkuar me familjen europiane. Por ky pazar i paturpshëm ka për t’iu shndërruar socialistëve në bumerang ! Sepse ideatorët dhe frymëzuesit e djeshëm të izolimit të Shqipërísë u kanë lënë amanet bijve të tyre neobllokmenë të mos lejojnë që njerëzit të lëvizin të lirë, të njohin kështu matanë kufirit gënjeshtrën komuniste, si dhe të mos u jepet mundësía armiqve të “revolucionit” të barazohen në kulturë dhe ekonomi me “aristokracinë” hajdute të “baballarëve” të krimit komunist ! Matrapazët socialistë janë sot të pikëlluar, kur mendojnë se nuk do të munden të arrijnë një “fitore” të pamerituar, meqë vota e tyre bllokuese për ligjet me 3/5, nuk është veçse vullnet i vetë këtij sovrani, i cili, siç ta jep mandatin e deputetit, ashtu edhe ta merr ! Dhe, ndërsa zgjedhjet e reja nuk janë larg, zhgënjimi i elektoratit ndaj matrapazëve socialistë po rritet me shpejtësí çdo ditë.