Banka e Shqipërisë: Ekonomia në trend pozitiv, inflacioni nën kontroll

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Ekonomia shqiptare edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 parashikohet të mbetet e qëndrueshme, e nxitur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe eksportet.
Banka e Shqipërisë publikoi raportin e politikës monetare, ku theksoi se “Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike solide, të karakterizuar nga një nivel nën kontroll çmimesh”.
Drejtori i departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli bëri me dije se kjo jep edhe sigurinë e parashikimit për një rritje prej 4 për qind për vitin 2025.
“Mbi bazën e të dhënave që disponojmë konstatojmë një ekonomi të mirë solide në nivele të larta e pritur pranë nivelit 4%, që do të shoqërohet me rritje të punësimit dhe pagave, rritje të shitjeve të biznesit dhe përmirësim të gjendjes financiare të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi”, tha Themeli.
Ai vuri në dukje se inflacioni qëndron i ulët dhe nën kontroll.
“Konkretisht në tremujorin e tretë 2024 inflacioni qëndron në nivelin 2% dhe politika monetare në nivelin 2,75% mbetet e përshtatshme për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të ekuilibruar. Kemi kontribute pozitive nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit. Në këndvështrimin makroekonomik, ne gjykojmë që situata mbetet pozitive. Kërkesa e brendshme, si zgjerimi i konsumit familjar, zgjerimi i investimeve, por nga ana tjetër dhe kërkesa e huaj, kryesisht në formën e rritjes së të ardhurave nga turizmi, kanë vazhduar dhe ne presim që të vazhdojnë të mbështesin ecurinë ekonomike në vitin 2025 dhe më tutje”, tha Themeli.
Sipas tij, ulja e inflacionit tregon një zhvillim të balancuar e të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik.
Ai theksoi se forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar në mbajtjen e inflacionit në objektivin prej 3% të Bankës Qendrore.
Ai u shpreh se zgjerimi i kredisë, nivelet e ulëta të normës së interesit dhe likuiditeti i bollshëm janë tregues i qëndrimit të përshtatshëm të politikës monetare.
Themeli vuri në dukje se, Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbajë një politikë monetare të kujdesshme dhe të dedikuar tërësisht drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve në vend, si parakusht i domosdoshëm për një rritje të shpejtë e të qëndrueshme. /j.p/r.e/