KIEV – Zelensky vendos sanksione ndaj ish-presidentit Poroshenko

KIEV, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vendosur sanksione ndaj paraardhësit të tij dhe kundërshtarit politik, Petro Poroshenko.
”Pasuritë, telefonat dhe aksesi në internet i Poroshenkos në Ukrainë do të bllokohen për një periudhë të pacaktuar dhe ish-presidentit do t’i hiqen të gjitha nderet shtetërore”, thuhet në dekretin e të mërkurës.
Dekreti pasoi një vendim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilin Zelensky e kryeson si president.
Nuk është dhënë arsyeja e masës, por mediet kanë spekuluar për një akuzë për tradhti të lartë.
Si kundërpërgjigje, partia pro perëndimore e Poroshenkos ”Solidariteti” bllokoi podiumin në parlament të enjten dhe shfaqi postera ku shkruhej “Ukraina nuk është Rusia”, “Jo represionit politik” dhe “Jo diktaturës”.
Seanca u mbyll para kohe.
Poroshenko i përshkroi masat si “antikushtetuese” dhe “të motivuara politikisht”.
Kampi i tij ka paralajmëruar prej javësh se ai mund të goditet me masa të tilla.
Sanksione të ngjashme janë vendosur edhe ndaj oligarkëve të tjerë, përfshirë Ihor Kolomoyskyi, i cili ka qenë në paraburgim që nga shtatori 2023 për akuza të ndryshme, dhe partneri i tij i biznesit Gennadiy Bogolyubov, i cili u largua nga vendi.
Të prekur janë edhe milioneri Kostyantyn Zhevago, i cili është me bazë në Francë, dhe ish-deputeti dhe oligarku Viktor Medvedchuk, i cili iu dorëzua Rusisë në një shkëmbim të burgosurish.
Zelensky urdhëroi gjithashtu mbylljen e disa stacioneve televizive dhe faqeve të lajmeve të konsideruara si pro ruse.
Pas fillimit të luftës, mbi një duzinë partish pro ruse u ndaluan në Ukrainë, disa anëtarë të parlamentit u ndaluan në paraburgim me akuzat për tradhti të lartë dhe anëtarë të tjerë të opozitës u larguan nga vendi./ a.jor.