Banka e Shqipërisë duhet të ulë normën e interesit
Banka e Shqipërisë duhet të ndjekë shembullin e SHBA dhe Europës, për të ulurë normën e interesit, shprehen ekspertët.
“Duke parë situatën ku jemi dhe duke parë dhe situatën çfarë po ndodh në Europë, ku normat bazë të interesit janë relativisht shumë të ulëta 0.5, 0.25 për qind dhe ku inflacioni është rreth 1.7 për qind, do të ishte e rekomandueshme që BSH ta vazhdojë këtë trend, ndoshta më një ritëm pak më të përshpejtuar, për të arritur në norma shumë të ulëta bazë të interesit”, thotë për TCH Edvin Libohova, ekspert i sistemit bankar.
Kjo gjë sipas tij do të stimulonte mjaft ekonominë
“Në radhë të parë do të ulte çmimin e parasë që bankat grumbullojnë nga qytetarët. Në radhë të dytë, buxheti i shtetit do të përfitonte për të mbuluar defiçin buxhetor, para më të lira dhe mbi të gjitha do të ndihmonte kreditimin e ekonomisë. Vërtet sot ka një ngërç në kreditimin e ekonomisë që vjen si rezultat jo i mospasjes së likuiditetit të bankave, por vetë situata ekonomike ka bërë që edhe biznesi të jetë më i tkurrur, në drejtim të kërkesës për kredi. Një ulje e çmimit të kredisë ndoshta do t’i nxiste“, thotë Libohova.
Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë e uli disa herë normën bazë deri ne minimumin historik 3.75 për qind. Lehtësimi ka ulur koston për borxhin e Qeverisë, por pa mundur të rigjallërojë kredinë për privatët./b.l