Banka e Shqipërisë rekomandoi rishikimin e skemës së pensioneve, por çfarë është sistemi me tre kolona dhe çfarë përfitojnë qytetarët?

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, gjatë raportimit në Kuvend, dha opinionin e saj mbi projektbuxhetin e vitit 2026, duke e vlerësuar si optimist dhe të orientuar drejt rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal.
Minxhozi bëri pesë rekomandime për qeverinë, duke përfshirë nevojën për rishikimin e skemës së pensioneve, monitorimin e koncesioneve dhe shpërndarjen më efektive të shpenzimeve gjatë vitit.
Ajo theksoi rëndësinë e rishikimit të skemës së pensioneve përballë sfidave të plakjes së popullsisë dhe rritjes së deficitit të saj.
“Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin dhe mbështetjen e saj më të mirë, zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve nëpërmjet mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programit buxhetor në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, theksoi ndër të tjera numri dy i Bankës Qendrore.
Por le të ndalemi te Kolona e Dytë e Pensioneve dhe si mund të përfitojnë qytetarët prej saj?
Ndryshe nga modeli tradicional, ku pensionistët varen vetëm nga pensioni shtetëror, shumica e vendeve europiane kanë adoptuar një sistem me tre shtylla:
1.Pensioni shtetëror, i financuar nga kontributet e detyrueshme të punonjësve dhe punëdhënësve.
2.Pensioni i punësimit (Kolona e Dytë), ku një përqindje e taksave të paguara për pension nga punëdhënësi dhe punonjësi në shtet, investohet në një fond privat të menaxhuar.
3.Pensionet private dhe kursimet personale, ku çdo qytetar mund të investojë në fonde të ndryshme për të siguruar një të ardhme më të mirë financiare.
Çfarë është “Kolona e Dytë”?
“Kolona e Dytë” është mekanizmi që i lejon qytetarët të marrin një pjesë të taksave që paguajnë për pensionin shtetëror dhe t’i investojnë në një fond privat.
Kjo ka disa avantazhe të rëndësishme:
Më shumë transparencë dhe siguri – Qytetarët nuk varen vetëm nga buxheti i shtetit dhe ndryshimet politike, por kanë një llogari personale pensioni që është e tyre dhe nuk mund të preket nga shteti.
Investimi i detyrueshëm në emrin e punëmarrësit – Një përqindje e kontributeve të pensionit nuk shkon vetëm për skemën shtetërore, por investohet direkt në një fond privat që i përket qytetarit.
Taksat që kthehen në përfitime direkte – Për herë të parë, qytetarët nuk paguajnë thjesht taksa për pensionin, por i marrin mbrapsht një pjesë të tyre në formën e një llogarie pensioni.
Përfitim më i lartë në pleqëri – Në vend që të mbështetesh vetëm në një pension të ulët nga shteti, Kolona e Dytë siguron një të ardhur shtesë në pleqëri.
Në shumë vende evropiane, marrin tre pagesa:
1️. Pensioni bazë nga shteti – I garantuar për të gjithë qytetarët në bazë të viteve të punës.
2️. Pensioni nga punësimi (Kolona e Dytë) – Një përqindje e taksave të paguara për pension është investuar në një fond privat dhe kthehet si pension shtesë.
3️. Pensioni nga kursimet private vullnetare – Çdo qytetar ka mundësinë të kontribuojë vetë në një fond pensioni privat për të pasur më shumë të ardhura në pleqëri.
Në këtë mënyrë, qytetarët evropianë kanë një pension më të lartë jo sepse shteti paguan më shumë, por sepse sistemi është ndërtuar për të diversifikuar burimet e të ardhurave në pleqëri.
A është e drejtë që taksat për pension të investohen për të ardhmen e individit?
Kolona e Dytë është i vetmi mekanizëm në Evropë ku një pjesë e taksave që paguan çdo qytetar për pensionin shtetëror i kthehet mbrapsht në llogarinë e tij të pensionit privat. Ky është një avantazh i madh, sepse paratë nuk përdoren vetëm për pagesat e pensionistëve të sotëm, por ruhen dhe investohen për pensionistët e ardhshëm.
Nëse ky sistem do të funksiononte siç duhet, çdo qytetar do të dinte saktësisht sa ka kontribuar dhe sa ka fituar nga investimet e pensionit. Në fund të karrierës, ai do të merrte një pension nga shteti dhe një pension shtesë nga fondi i tij i menaxhuar privatisht.
Pse nevojitet “Kolona e Dytë” e pensioneve?
– Për më shumë siguri financiare – Një pension më i lartë dhe më i garantuar në pleqëri.
– Më shumë transparencë – Çdo qytetar ka një llogari personale pensioni që është e tij dhe nuk mund të preket nga qeveritë.
– Për të qenë në një linjë me sistemet më të mira në Evropë – Diversifikimi i të ardhurave në pleqëri është një model i dëshmuar që funksionon.
Për ta përmbyllur, “Kolona e Dytë” nuk është thjesht një reformë pensioni – është një ndryshim ku qytetari nuk është më thjesht një kontribuues, por një investitor për të ardhmen e tij. Në vend që të mbështetet vetëm në premtimet e shtetit, ai ka kontroll më të madh mbi të ardhurat e tij në pleqëri dhe përfiton drejtpërdrejt nga kontributet që bën.
Në Shqipëri operojnë 8 fonde pensionesh private dhe sipas asaj që raporton Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, gjatë periudhës janar-qershor 2025, totali i aseteve neto arrin n/ 13,889.85 milionë lekë (142 milionë euro) me një rritje prej 1,019 milionë lekë (7.92%) krahasuar me 31.12.2024.
Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private me pjesëmarrje (të hapur dhe të mbyllur), më 31.06.2025 rezultoi 48,241 anëtarë duke shënuar një rritje prej 7.38% krahasuar me 31.12.2024.