Banka e Shqipërisë: Rritja e pagave po mbështet fuqinë blerëse, por krijon rreziqe për inflacion më të lartë

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto zhvillime kanë mbështetur fuqinë blerëse të familjeve, por ato kanë rritur njëkohësisht kostot e prodhimit, duke vijuar të jenë një burim rreziku për rritjen e presioneve inflacioniste në të ardhmen.
Papunësia e ulët dhe rritja e vazhdueshme e pagave ngelet një burim rreziku për rritje të çmimeve në të ardhmen. Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë evidenton ecurinë pozitive të treguesve të tregut të punës
Të dhënat e tremujorit të dytë tregojnë rritjen me 3.4% të punësimit në sektorin privat jobujqësor, uljen e shkallës së papunësisë në 8.5% dhe rritjen e pagës në sektorin privat me 9.5%. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto zhvillime kanë mbështetur fuqinë blerëse të familjeve, por ato kanë rritur njëkohësisht kostot e prodhimit, duke vijuar të jenë një burim rreziku për rritjen e presioneve inflacioniste në të ardhmen.
Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në tremujorin e tretë, duke arritur një nivel mesatar prej 2.4%, nga 2.3% dhe 2%, në dy tremujorët paraardhës. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, kjo rritje pasqyroi kryesisht rritjen e çmimit të qirave dhe rënien më të zbutur të çmimit të naftës, ndërsa çmimet e ushqimeve shënuan rënie.
Në veçanti, Banka e Shqipërisë thekson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, në pasqyrim të zgjerimit të aktivitetit ekonomik, kushteve të shtrënguara në tregun e punës, si dhe rritjes së çmimit të qirave. Këto të fundit ishin faktori kryesor që solli rritjen në 2.9% të inflacionit bazë në tremujorin e tretë. Në të kundërt, presionet inflacioniste nga jashtë mbeten të dobëta, të kushtëzuara nga çmimet e ulëta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut.
Ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 3.6% gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e konsumit dhe investimeve u mbështet nga gjendja e mirë financiare e sektorit privat, rritja e kredisë dhe nivelet e larta të besimit të konsumatorëve dhe bizneseve. Në të njëjtën kohë, turizmi ka vijuar të rritet, ndonëse me ritme të moderuara, i nxitur nga rritja e kërkesës së huaj. Ky profil i rritjes ekonomike është pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori bujqësor dhe ai industrial kanë vijuar të shfaqin rënie të vëllimit të aktivitetit.
Në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare pritet të rritet pranë potencialit në afatin e mesëm, ndërsa inflacioni pritet të rritet drejt objektivit 3%, brenda gjysmës së parë të vitit 2026. Kthimi i inflacionit në objektiv do të mbështetet nga rritja e inflacionit të importuar dhe nga qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ekonomike do të mbështetet nga kërkesa e sektorit privat për konsum dhe investime, si dhe nga kërkesa e huaj, veçanërisht në sektorin e turizmit. Kontributi direkt i këtij sektori pritet të moderohet gradualisht në horizontin afatmesëm, por forcimi i lidhjes me sektorët e tjerët të ekonomisë do të ndihmonte në zgjerimin e ndikimit të tij në aktivitetin e brendshëm ekonomik.
Nga ana tjetër, kërkesa e sektorit privat do të mbështetet nga gjendja e qëndrueshme financiare e familjeve dhe bizneseve, klima pozitive e besimit dhe kushtet e favorshme të financimit. Megjithatë, ritmi i rritjes së ekonomisë parashikohet të jetë disi më i ngadaltë në krahasim me tre vitet e shkuara, në kushtet e ngadalësimit të pritur të aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe të afrimit të ekonomisë shqiptare me kapacitetet e saj prodhuese.