E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka zvicerane UBS: Ja plani amerikan për të shpëtuar Italinë dhe Spanjën

Fed gati për të blerë shuma masive të titujve të borxhit italian dhe spanjoll për të rimëkëmbur ekonominë globale. Objektivi: ulja e spreadit në 130.

Andreas HOEFERT, kryeekonomisti i bankës zvicerane.NEW YORK Federal Rezerve është e gatshëm për të blerë BTP-në (bono thesari të qeverisë italiane) dhe obligacione të qeverisë spanjolle. Zbulimi vjen nga ekonomisti kryesor i bankës së famshme zvicerane UBS, sipas të cilit banka qendrore amerikane nuk ka më durim të presë lëvizjet e ardhshme të autoriteteve të BE-së, të cilët duken ende të ndarë në shumë çështje kyçe, të tilla si ndihma e drejtpërdrejtë ndaj bankave duke përdorur fondet e ESM-së (Mekanizmi Evropian i Shpëtimit).

Tingëllon si fantashkencë, por plani në të vërtetë ka arritur tryezat e vendimmarrësve amerikanë. Operacioni, i cili mundësohet nga sasia e madhe e likuiditetit të hedhur në treg vitet e fundit gjatë politikave monetare lehtësuese (më shumë se 20 trilion USD në qarkullim), mund të ngrejë çmimet e BTPs dhe Bonos, duke ulur spreadin me Bund-in gjerman.
Në këtë mënyrë, me anë të operacionit më të madh në histori të uljes artificiale të normave të interesit, Ben Bernanke mund të ulë spreadin mes BTP dhe Bund ose Bonos dhe Bund nga 250-260 pikë aktuale në një nivel jo më shumë se 130-140 pikë bazë. Në këtë mënyrë shpresohet të nisë një cikël i shëndetshëm drejt investimeve dhe rimëkëmbjes ekonomike.
Po për sa i përket inflacionit? Për sa i përket këtij kapitulli, Gjermania mund ta kundërshtojë këtë plan. Pas Luftës së Dytë Botërore, kujton një opinion i kohëve të fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, një terapi e këtij lloji, bazuar në blerjet masive të obligacioneve qeveritare, shërbeu si për të mbështetur ekonominë amerikane, ashtu edhe për të shlyer borxhet e shteteve të ndryshme të krijuara gjatë luftës.

Por disa vite më parë, në Gjermani vala e inflacionit goditi rëndë gjermanët, të cilët u detyruan të sakrifikonin për shumë vite me rradhë. Në periudhën mes dy luftërave u shkaktua i ashtuquajturi hiperinflacion Weimar. Në fazat finale, në nëntor të vitit 1923, Marka Gjermane vlente një të miliardën e vlerës së vitit 1914.
Duke u rikthyer tek kriza e kohës sonë, dhe konceptit që: Mario Draghi i ka duart e lidhura nga Gjermania, zgjidhja e vetme është që të mbështetet në municionet e “rënda” dhe të pakufizuara të Fed-it, i cili aktualisht ka autoritet për të blerë borxh të jashtëm publik.

Andreas HOEFERT, kryeekonomisti për tregun evropian të administrimit të pasurisë në bankën zvicerane UBS, është i bindur se Bernanke, i cili do të largohet në janar të viti 2014 mund të hyjë në histori si presidenti i parë i Fedit i cili nuk imponoi për asnjë çast politika monetare shtrënguese gjatë mandatit të tij. Strategjia e daljes nga planet e zgjerimit monetar duket se nuk po troket akoma tek porta. Ndërsa bursat në SHBA vazhdojnë të vendosin rekorde pas rekordesh, ekonomia reale nuk është kthyer ende në nivelet e para krizës së viti 2008.
“Suksesi i lehtësimit monetar – vë në dukje analisti – mbetet ende në dyshim edhe pse është e vërtetë se, ndryshe nga vendet e tjera, SHBA-të nuk duket se rrezikojnë rënien në një recesion të thellë të dyfishtë dhe se papunësia po përmirësohet me një ritëm të ngadaltë por të qëndrueshëm. Për më tepër, tregu i aksioneve aktualisht po shënon rekorde të njëpasnjëshme”.
Edhe më e keqe është situata në Evropë, e cila ende mbetet në recesion nëse nuk duam qe tashmë ta quajmë depresion. “Nëse kjo situatë do të vazhdojnë për një kohë të gjatë, mund të pengojë përpjekjet e mëdha të vetë FED-it në luftën kundër deflacionit,” tha Hoefert.

Sipas ekonomistit, politika monetare në përputhje me strategjinë “trondit dhe habit” që Fed po vë në jetë që nga viti 2008, ndoshta ka habitur shumë persona, por ata që kujtojnë fjalët e presidentit të saj gjatë një fjalimi në vitin 2002, kur ai ishte një anëtar i Këshillit të Guvernatorëve (“Deflacioni: të jemi të sigurtë që nuk do të ndodhë), i cili i dha atij pseudonimin e “helikopterit Ben”, përcakton shumë vite përpara masat që Fed do të ndërmerrte në një situatë krize financiare me rreziqe të tilla si ato deflacioniste të viteve 2007-08.
Pikërisht në fjalimin e vitit 2002 Bernanke deklaroi se “Fed ka autoritetin për të blerë borxhin publik kombëtar dhe të huaj”. Një armë kjo potencialisht shumë efektive, që FED ka në dispozicion në arsenalin e saj. “Asgjë nuk mund të ndalojë Fed të bëjë punën që BQE-ja aktualisht po refuzon ta bëjë ose të bjerë dakord për të bërë vetëm në këmbim të një shtrëngimi fiskal akoma më të madh në vendet periferike: blerja e titujve të borxhit spanjoll, italian dhe të vendeve të tjera për të përmirësuar kushtet monetare në ato vende”, thotë Hoefert.
Në fjalën e tij, Bernanke theksoi gjithashtu se një ndërhyrje e tillë do të ketë një ndikim “të mundshëm në një shumë tregje financiare, duke përfshirë tregun valutor. Mirëpo, në një botë të cënuar nga luftërat mbi kurset e këmbimit, në të cilën Japonia ka shkarkuar tashmë arsenalin e saj dhe euro mbetet ende luftëtar i fshehur, një ndërhyrje hipotetike në këto përmasa më në fund mund vendosë BQE-në përpara faktit se një depresion evropian i vetëshkaktuar nuk është një ngjarje e izoluar, por një fakt që impakton rimëkëmbjen globale” shtoi Hoefert, sipas të cilit veprim i Fed-it për të ndihmuar financiarisht vendet më të brishta të euros mund të jetë mënyra e vetme për të dalë nga tuneli.

(Marrë nga Wall Street Italia)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›