Konflikti për pronën, banorët qëllojnë me armë Përmbaruesit
Banorët tek rruga Fortuzi: Do ta mbrojmë pronën me gjak
Banorët e një shtëpie në rrugën Fortuzi në Tiranë u përplasën mëngjesin e djeshëm me Përmbaruesit privatë, duke i kërcënuar ata me armë, për shkak se nuk pranojnë të lirojnë godinën. Banorët thonë se personi që pretendon pronësinë e shtëpisë një-katëshe nuk është pronari i ligjshëm. Sipas të dhënave të policisë në orët e paradites kur Përmbaruesit janë paraqitur pranë ndërtesës një katëshe ku banonin disa familje një prej banorëve pasi është konfliktuar me ta, ka qëlluar me armë zjarri por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka shoqëruar në komisariat Artan Sadikun, ndërsa sekuestroi edhe një armë të llojit kallashnikov. Pas kësaj ngjarjeje, Përmbaruesit janë larguar, duke shtyrë për një tjetër ditë zbatimin e vendimit të gjykatës.
Pretendimet
Gjatë konfliktit të ditës së djeshme një prej kryefamiljarëve që jeton në rrugën Fortuzi ka deklaruar se banon në këtë shtëpi prej vitesh, ndërsa shprehen se po nxirren në qiell të hapur duke u bazuar në dokumente të falsifikuara. Po na nxjerrin nga shtëpia me padrejtësi, me letra të falsifikuara. Kjo shtëpi është e jona. Ka patur një dhomë dhe një ahur. Zoti Rexhep Cali pretendon të marrë shtëpinë e babës tim. Kemi 8 muaj në terror, në presion. Jemi shkatërruar nga nervat. Unë jam anëtare e PD, kam punuar për këtë pushtet dhe po punoj akoma për ti dhënë vota, dhe mua po më nxjerrin nga shtëpia,- deklaroi vajza e familjes Sadiku. Ndërsa nga ana tjetër babai i saj ka deklaruar se të gjithë banorët e kësaj ndërtese do ta mbrojnë me gjak pronën e tyre, dhe sdo të lejojnë as Përmbaruesit dhe askënd tjetër ti marrin shtëpinë.
Precedenti
Nga ana tjetër, familja Cali pretendon se ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton pronësinë e banesës. Këtu banonin 3 familje, dy u larguan, kjo familje nuk largohet. Këta firmosën me Përmbarimin dhe thanë na lini 7 ditë afat se do dalim, tani nuk pranojnë të dalin, na kërcënojnë se do na vrasin fëmijët. Ne vetëm po zbatojmë ligjet e shtetit,- u shpreh Saimir Cali. Sipas përfaqësuesit të Përmbarimit, Baftjar Nela, përmbaruesit do të zbatonin një vendim të Gjykatës së Tiranës. Nela thekson se ekzistojnë të gjitha dokumentet në favor të ish-pronarëve për të marrë banesën. Erdhëm të zbatonim një vendim të Gjykatës së Tiranës për lirimin e banesës 1-katëshe në rrugën Mahmut Fortuzi, ku një nga familjet nuk pranonte të zbatonte këtë vendim. Kemi kërkuar të ballafaqojmë dokumentet dhe në momentin kur po i kontrollonim dokumentet, dëgjoj të shtëna në ajër të një personi që kishte kallash në dorë dhe që na tha largohuni nga shtëpia.- deklaroi Nela. Gjatë pasdites banorët kanë nxjerrë me forcë pronarët, ndërkohë që është kërkuar ndihma e policisë për të qetësuar situatën. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje. Pronarët kanë kërkuar që banorët të dalin sipas vendimit të Gjykatës , ndërkohë që banorët pretendojnë se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar, ndaj për këtë arsye ata duhet të presin.