Bankat mbyllin 33 degë nga protesta, shërbimet vijojnë përmes kanaleve alternative

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Shërbimet bankare për qytetarët dhe bizneset vijojnë të ofrohen përmes kanaleve digjitale dhe degëve që funksionojnë normalisht, ndërsa disa banka kanë ndërmarrë masa të përkohshme në rrjetin e tyre fizik në Tiranë dhe Durrës, në kuadër të garantimit të sigurisë së klientëve dhe punonjësve, në kushtet e situatës së vijimit të pprotestës së studentëve në kryeqytet.
Sipas njoftimeve të publikuara nga bankat tretare për datën 19 tetor, ndryshimet përfshijnë mbylljen e përkohshme të disa degëve dhe reduktimin e orarit të shërbimit në pika të tjera. Në total, sipas të dhënave të bëra publike për tetë banka, 33 degë janë njoftuar të mbyllura, ndërsa 27 të tjera do të punojnë me orar të reduktuar.
Banka Kombëtare Tregtare ka njoftuar mbylljen e 12 degëve në kryeqytet, duke orientuar klientët drejt shërbimeve të saj elektronike, të cilat mundësojnë kryerjen e veprimeve bankare gjatë gjithë ditës.
Edhe bankat e tjera kanë përshtatur organizimin e shërbimeve. Raiffeisen Bank ka mbyllur përkohësisht pesë degë në Tiranë, ndërsa Intesa Sanpaolo Bank Albania ka njoftuar kufizime në disa pika të rrjetit të saj, përfshirë degë që do të ofrojnë shërbime deri në orën 13:00.
OTP Bank ka vendosur mbylljen e dy degëve dhe reduktimin e orarit në tetë të tjera, ndërsa ABI Bank ka njoftuar se tetë degë në Tiranë do të punojnë deri në mesditë. Credins Bank ka reduktuar orarin në gjashtë degë dhe ka njoftuar mbylljen e një pike tjetër.
Ndryshime ka njoftuar edhe Union Bank, e cila ka mbyllur tri degë në Tiranë, si dhe Fibank, që ka pezulluar përkohësisht shërbimin në degët pranë Kullave Binjake dhe Fakultetit të Shkencave.
Ndërkohë, ProCredit Bank ka bërë të ditur se degët dhe agjencitë e saj në Tiranë dhe në qytetet e tjera vijojnë të funksionojnë sipas organizimit të zakonshëm.
Për të kryer pagesa, transferta dhe veprime të tjera, klientët mund të përdorin aplikacionet bankare, internet banking dhe ATM-të, sipas shërbimeve që ofron secila bankë. Union Bank ka njoftuar gjithashtu mundësinë e tërheqjes së parave pa komision në ATM-të në Shqipëri, përfshirë ato të bankave të tjera.
Bankat u kanë bërë thirrje klientëve të kontrollojnë njoftimet zyrtare përpara se të paraqiten në sportele, pasi oraret dhe disponueshmëria e shërbimeve mund të ndryshojnë sipas degës.
Masat e ndërmarra synojnë të përshtatin shërbimin fizik me kushtet aktuale të sigurisë, duke ruajtur sa më shumë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare. Mbyllja e përkohshme e disa degëve nuk nënkupton ndërprerjen e aktivitetit bankar në tërësi, njoftojnë bankat.
/e.xh/j.p/r.e/