E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha thirrje policisë: Dorëzoni detyrën, mos qëlloni mbi studentët

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke u bërë thirrje punonjësve të policisë të mos bëhen mburojë e qeverisë.

“Rama u bëri thirrje forcave të rendit të shndërrohen në mburojë të tij. Por unë jam këtu për t’u bërë thirrje punonjësve të policisë shqiptare: mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuaj gjysmën e shqiptarëve me varfërinë që ka krijuar”, deklaroi Berisha në konferencë për mediet nga selia e PD-së.

“Mos mbroni njeriun që ka zhytur institucionin e tij dhe institucionet e tjera të shtetit në drogë dhe krim. Mos mbroni njeriun që ka përvetësuar dhe vjedhur miliarda e miliarda euro nga taksat dhe djersa juaj dhe e qytetarëve. Mos mbroni një regjim që është sjellë më keq se çdo pushtues me shoqërinë shqiptare”, tha Berisha.

Ai gjithashtu u bëri thirrje efektivëve të policisë të mos përdorin forcën ndaj studentëve dhe gjimnazistëve, ndërsa kërkoi prej tyre të refuzojnë urdhrat që mund t’i përfshijnë në veprime të paligjshme.

“Frymëzohuni edhe ju nga këta djem dhe vajza guximtarë që duan të hedhin mënjanë diktaturën e drogës dhe krimit. Mos qëlloni mbi studentët, mbi gjimnazistët, dorëzoni kapelet, dorëzoni detyrën”, tha Berisha.

Gjithashtu, Berisha komentoi më tej duke u shprehur se Rama i ka etiketuar protestuesit fillimisht si antisemitë dhe tashmë si terroristë e pjesë të lëvizjes ANTIFA.

Berisha tha se përgjegjësia për përshkallëzimin e protestave bie mbi vetë kryeministrin dhe qëndrimet e tij.

“Tre javë më parë në sallën e OKB ai i deklaroi ata antisemitë duke besuar se do të gënjente në këtë mënyrë botën për qëndrimet që mbajti. Tani i quan terroristë. I quan ANTIFA. Në qoftë se protesta ka marrë këto përmasa dhe këto nuanca, ai është autori kryesor, qëndrimet e tij”, deklaroi Berisha.

“U përpoq të bindë se qenka Rusia e Irani etj, prapa gjimnazistëve dhe studentëve shqiptarë”, tha Berisha.

“Rama përdori çdo etiketë kundër studentëve, kundër gjimnazistëve që në të vërtetë janë në një mision liberator, në një mision të vërtetë çlirimtar të një populli nga diktatura më e egër që ai ka njohur në histori, nga diktatura e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e qytetarëve”, u shpreh Berisha.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›