E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bano paraqet amendamentin, Manastirliu: Mbështetja për studentët dhe mësuesit e parashikuar në buxhet

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi se,  “amendamenti i propozuar nga Partia Demokratike për sektorin e arsimit, është i përfshirë në buxhetin e vitit 2025 dhe mbështet me bursa rreth 50 mijë studentë, që vijnë nga kategori të ndryshme, familje me të ardhura të ulëta, të ekselencës dhe me aftësi speciale”.

Në përgjigje të kërkesës së deputetes Eralda Bano, që parashtroi kërkesën për shtimin e 1 miliard lekëve, për një mbështetje konkrete financiare për studentët me të ardhura familjare të ulta dhe të kategorive të tjera, Manastirliu tha se, “buxheti 2025 adreson një fond prej 1.3 miliardë lekësh për mbështetjen studentore”.

Gjithashtu bëri të ditur ministrja, janë 7500 studentë që përfitojnë nga fondi 3 milionë euro për mbështetje në rezidencën e studentore në Tiranë dhe qytete të tjera. Ndërkohë do të vijojë mbështetja me 180 milionë lekë për 450 studentë që studiojnë në programe me prioritet kombëtar.

Sipas saj, “38 mijë mësues dhe 12 mijë nxënës që mësojnë larg vendbanimeve do të vijojmë t’i mbështesim me një fond 1.1 miliard lekë për rimbursimin e shpenzimeve të transportit. Ndërsa do të mbështesim rritjen e pagave për të gjithë punonjësit në arsim, ku përfitojnë 31 mijë mësues, psikolog, punonjës social, oficer sigurie”.

Manastirliu deklaroi se, amendamenti i deputetes Bano, për mbështetje buxhetore të studentëve dhe mësuesve, është i parashikuar specifikisht në programet përkatëse të buxhetit 2025.

Nga ana e saj deputetja Bano parashtroi dhe një amendament të dytë në buxhetin 2025 ku kërkoi, shtimin me 500 milionë lekë të fondit për të mbuluar kostot direkte që pacientet duhet të përballojnë gjatë trajtimit të tyre shëndetësor dhe mjekësor për logopedi, fizioterapi apo mbështetje psiko-sociale.

Deputeti i mazhorancës Hoxha tha se, “familjet me ndihmë ekonomike përfitojnë kompensim të energjisë elektrike, subvencionim për ndjekjen e arsimit dhe vaksinimit të detyrueshëm, tekste falas për arsimin e detyruar dhe përgjysmim të tarifës për fëmijët që i kanë studentë si dhe program mbështetës për gratë e papuna dhe me shumë fëmijë si dhe ofrimin e ofrimin falas të mjekimit specifik në spitale por edhe qendra multifunksionale”.

Ai bëri të ditur se, “sot ofrohen më shumë se 73 shërbime të përkujdesit social dhe 581 profesionistë lokoped apo punonjës social, japin të gjithë mbështetjen e tyre për familjet me ndihmë ekonomike që nuk kanë mundësinë e trajtimit të sëmundjeve në spitalet private”.

Amendamentet u rrëzuan me shumicë votash. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›