E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banoret, bresheri armesh ne Lazarat

Bresherite e armeve ne fshatin Lazarat, vene ne alarm policine e Gjirokastres. Banoret e lagjeve periferike ne afersi me fshatin "rebel" jane terrorizuar nga te shtenat, nderkohe qe mengjesin e djeshem eshte perhapur lajmi se ishte qelluar ndaj nje helikopteri turistesh, qe dyshohej se patrullonte per zonat e hashashit. Duke iu referuar edhe ngjarjes se ndodhur gjate vjeshtes se vitit 2004, u mendua se ishte nje histori e perseritur me helikopterin e "Interforces" italiane, qe u qellua me bresheri, pasi keqyrte zonat e mbjella me hashash ne Lazarat. Drejtoria e Policise Gjirokaster doli dje me nje deklarate zyrtare, duke sqaruar ngjarjen e se henes, duke u shprehur se fluturimi i helikopterit F105, prodhim gjerman, ne pronesi te nje shoqerie turistike, nuk kishte lidhje as ne kohe dhe as ne veprime me te shtenat sporadike ne fshat. Megjithese u tha se tre persona ende te paidentifikuar kane qelluar me arme automatike apo pushke, policia deri dje ne mbremje nuk kishte arritur te hynte ne Lazarat per te kryer veprime hetimore. Mendohet se te shtenat kane ardhur nga lagjja Kordhoce e kesaj komune, shume prane qytetit.

Mengjesin e djeshem, ne Gjirokaster ka qarkulluar lajmi se nje helikopter turistik ishte qelluar, duke u gdhire dita e marte. Ne nje konference per shtyp, zedhenesi i policise, Gentian Mullai, i ka cilesuar keto informacione si te pabaza dhe te paverteta. "Ne ate ore, per te cilen bejne fjale keto informacione, s'ka fluturuar asnje helikopter mbi fshatin Lazarat", ka pohuar ai. Sipas hetimeve te kryera nga policia, "rreth ores 17:30, nje helikopter civil, i cili kryente fluturime me lejen e autoriteteve shqiptare per promovimin e turizmit, ka fluturuar mbi qytetin e Gjirokastres dhe ka kaluar mbi fshatin Lazarat per ne drejtim te Sarandes, por s'ka pasur asnje nje te shtene me arme zjarri nga ana e banoreve te fshatit ne drejtim te helikopterit". Mullai sqaroi se te shtenat jane degjuar rreth ores 23:30 te se henes dhe nuk kane pasur objekt as helikopterin dhe as lagjet periferike te qytetit. Fillimisht u dyshua se behej fjale per bresheri mitralozi te rende, por policia mohoi, duke u shprehur se ishin te shtena sporadike. Nga hetimet e kryera u konkludua ne faktin se helikopteri ka pasur nje diference kohe prej pese oresh me momentin e te shtenave dhe se qellimi i tij ka qene vetem vizita per turizem mbi zonen e Gjirokastres.

Nderkohe, policia e Gjirokastres ka nisur ceshtjen penale per tre banore te fshatit Lazarat, emrat nuk behen te ditur, pasi thuhet se nuk jane identifikuar, te cilet oret e para, duke u gdhire dita e marte, kane gjuajtur me bresheri armesh zjarri ne ajer. "Policia lokale po punon per identifikimin e tre personave", tha zedhenesi i policise, Gentian Mullai. Ceshtja i ka kaluar per investigim te metejshem Sektorit Kunder Krimeve te Renda ne Drejtorine e Policise, qe kane nisur punen per evidentimin e personave qe jane perfshire ne incident, per vepren penale te "prishjes se rendit dhe te qetesise publike" e "armembajtjes pa leje". Policia sqaroi se nga te shtenat nuk ka pasur te lenduar apo objekte te demtuara. Eshte vendosur komunikimi me autoritetet vendore, komunen Lazarat dhe jane pyetur nje pjese e banoreve, por pa u arritur futja ne fshat me forca per te shmangur ndonje incident tjeter. Dyshohet se autoret, qe kane gjuajtur ne ajer, mund te kene vepruar pas largimit te helikopterit me idene se ai ka fotografuar zonat ku mendohet se kultivohet ende hashashi.

Aliko: Mbeshtes deklaraten e policise

I kontaktuar nga gazeta "Koha Jone" ne lidhje me informacionet e publikuara nga disa burime mediatike, sipas te cilave oret e para, duke u gdhire dita e marte, nje helikopter eshte gjuajtur me arme zjarri, ndersa fluturonte mbi fshatin Lazarat, kryetari i komunes Lazarat, Dasho Aliko, i ka cilesuar ato "te paverteta dhe dashakeqe". Ai mohoi kategorikisht qe te ishte qelluar ky mjet fluturues ne kohen qe gjendej mbi zone. "Ne lidhje me kete ngjarje, une mbeshtes deklaraten e policise se Gjirokastres", ka pohuar Aliko. "Une, ka vijuar ai, kam qene ne fshat, kur rreth ores 17:15 kaloi nje helikopter dhe absolutisht nga banoret e Lazaratit nuk ka pasur asnje reagim karshi tij". Nderkohe kryekomunari Aliko ka pohuar se "komuniteti i Lazaratit eshte ne mbeshtetje te te gjitha veprimeve ligjore te Policise se Shtetit". Ne lidhje me te shtenat e armeve ne mesnate, sipas deklarates zyrtare te forcave te rendit, Aliko eshte shprehur se nuk ka degjuar te shtena gjate kesaj ore, porse sulmi ndaj helikopterit ishte vecse nje trillim dashakeqes dhe se i linte hetimet ne doren e policise vendore. Nuk eshte hera e pare qe kryekomunari ka mbeshtetur veprimet ligjore te autoriteteve policore ne raste incidentesh.

Vera, sezoni i te korrave te hashashit

Muajt e veres njihen edhe si fushata e korrjes se te mbjellave te hashashit. Bima kanabis sativa kultivohet ne zona me klime te ngrohte dhe sezoni i mbjelljes nis qe prej muajve mars apo prill dhe ne deri ne fund te muajve gusht apo shtator behet korrja e tyre. Aktualisht bima eshte ne fazen e saj te pjekjes dhe merr nje zhvillim trupor me nje gjatesi mbi 2 metra dhe eshte teper e dukshme nga hapesira ajrore. Ky fakt eshte bere edhe shkak i disa incidenteve ne Lazarat, pasi mjete fluturues kane patrulluar ne zone, duke fotografuar parcelat e mbjella me hashash, me qellim evidentimin e vatrave.

Precedenti, si u qellua helikopteri i Interforces

Precedenti me i rende qe ka pasur per autore banoret e Lazaratit, ka qene sulmi me arme ndaj nje helikopteri te Interforces italiane, ne tetor te vitit 2004. Nga te shtenat, mjeti fluturues, qe kishte per qellim vezhgimin e zones, ku mendohej se kultivohej hashashi, eshte demtuar, duke rrezikuar edhe renien me ushtaraket ne bord qe filmonin. Ministria e Rendit atekohe deklaroi se kishte leshuar nje leje per mjetin, me qellim inspektimin e zones dhe nga fotografimet e kryera rezultoi se parcela te tera ishin te mbjella me kanabis sativa. Ngjarja beri buje ne media dhe pati reagime te fuqishme politike, pasi u tha se nga mjeti fluturues ishte qelluar dhe banoret reaguan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›