E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Grudës protestë për rrugën: Rrezikohen fëmijët

SHKODËR- Banorë të lagjes së ish Vinotekës në fshatin Grudë e Re kanë protestuar sot pranë komunës Rrethina në Shkodër, në varësi të së cilës është dhe fshati i tyre. Banorët theksojnë se prej ditësh i kërkojnë drejtuesve të komunës që të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemeve që ato kanë dhe që lidhen me mungesën e ujit të pijshëm, rrugën dhe energjinë elektrike. Ndokë Nika, banor i kësaj lagjeje shprehet se rruga është e pakalueshme. "Kur na vdes ndonjë njeri ne detyrohemi ta vëmë në karrocë ose ta mbajmë në krahë pasi autobusët nuk pranojnë të afrohen tek banesat për shkak të rrugës ". Mhill Vata, një tjetër banor tek ish Vinoteka shprehet se janë 200 fëmijë të arsimit parauniversitar që kalojnë nëpër këtë rrugë thuajse të pakalueshme për të shkuar në shkollë, ndërsa kemi kërkuar hapjen e një shkolle aneks. "Kryetarin e Komunës nuk e njohim pasi ai asnjëherë nuk është takuar me ne, ndërsa këtu në komunë nuk gjendjet" thonë banorët . Në ambientet e komunës Rrethina ato kanë ngritur zërin e protestës dhe kanë kërcënuar me përshkallëzim të saj në rast se nuk merret një përgjigje . Nisur nga këmbëngulja e tyre, ato i ka pritur nënkryetari i komunës Lic Elezi i cili u ka premtuar se në pamundësi financiare për të ndërtuar rrugën do hidhet në të çakull për të mbuluar gropat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›