Gjirokastër, hetime për krimet e vitin '97
GJIROKASTËR- Tetë ngjarje të vjetra janë zbardhur nga policia e Gjirokastrës gjatë
vitit që po lëmë pas, ndërkohë që kanë rinisur hetimet për vepra të rënda penale të ndodhura në vitin 1997. "Janë zbardhur 8 vepra penale, nga të cilat 1 vrasje e ndodhur në vitin 1999, 3 vjedhje me dhunë të banesave në Dropull, të ndodhura në vitin 2008 dhe 4 vjedhje banesash e lokalesh, të ndodhura në vitin 2008. Kanë rifilluar hetimet për ngjarje të tjera të vjetra, disa prej të cilave janë ngjarje të rënda të vitit 1997, duke penalizuar 14 autorë, nga të cilët 13 janë ndaluar dhe 1 është shpallur në kërkim". Shifrat janë bërë publike nga drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Emri Vata gjatë analizës 1-vjeçare të punës së këtij institucioni. Gjatë kësaj periudhe në territorin e qarkut të Gjirokastrës kanë ndodhur gjithësej 459 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 368 prej tyre ku janë implikuar 405 autorë, nga të cilët 152 janë arrestuar në flagrancë, 121 janë shpallur në kërkim dhe 232 ndiqen ne gjendje të lirë. Ndërkohë një problem i mprehtë vlerësohet kultivimi i bimëve narkotike. "Problematik mbetet fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike, ku megjithë punën e mirë parandaluese dhe goditjen e këtij fenomeni, që ka çuar në pothuajse në 60 % më pak të sasive të kultivuara, mbetet ende shumë punë për të bërë në të ardhmen", kanë theksuar burimet policore.