E Martë, 3 Nëntor 2026

“Banorët e Luginës së Preshevës ta refuzojnë!” Shaip Kamberi kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, iu ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ta refuzojnë shërbimin ushtarak nëse vendoset me detyrim nga Serbia.

Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti i vetëm që fitoi mandatin në parlamentin serb, Shaip Kamberi, e ka konsideruar të papranueshme thirrjen e autoriteteve serbe.

“Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi, edhe pse lëvizje strategjike marketingu nga Presidenti Aleksandar Vuçiç është i papranueshëm dhe duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës,” ka shkruar ai në Facebook.

Deputeti Kamberi më tej ka thënë se Serbia sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje.

Përkundrazi, shprehet deputeti, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjskë ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresorin.

“Rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, ndryshe vendimet e këtilla luftënxitëse vetëm sa na rikthejnë në vitet e 90-ta,” ka përfunduar Kamberi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›