Tensionet në veri të Kosovës, Gërvalla: Ndërkombëtarët të reagojnë ndaj destabilizimit nga Serbia

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar një reagim të fortë nga ndërkombëtarët për rastet e fundit të trazirave në veri të Kosovës.
Gjatë konferencës për shtyp nga Prishtina me homologun shqiptar, Igli Hasani, znj. Gërvalla dënoi shpërthimin e granatës në Mitrovicën e Veriut ku mbetën të plagosur dy persona.
Ajo fajësoi për sulmin grupet kriminale, që vijnë nga Serbia dhe synojnë destabilizimin e Kosovës.
“Zbatimi i vendimit për targat dhe pagesa e energjisë edhe nga komuniteti serb ne veri janë dëshmi e integrimit te atij komunitet në Kosovë, komunitet që për dekada ka qenë peng i politikave të Beogradit dhe grupeve terroriste. Sulmi i natës së fundit, ku janë lënduar disa persona tregon se duhet të mbetemi vigjilentë, sepse krimi i organizuar së bashku me strukturat e ardhurat nga Serbia do të përpiqen të stabilizojnë vendin tonë. Jo vetëm për hir të paqes në Kosovë por edhe stabilitet afatgjatë në rajon. Ndërkombëtarët nuk duhet të heshtin por të dënojnë ashpër çdo tentative për të destabilizuar vende fqinje,” tha znj. Gërvalla.
Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe mbështetjen që i ofron Kosovës për anëtarësimin e saj në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.
Kryediplomatja shtoi gjithashtu se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë politikat në mënyrë që të zëri i tyre të jetë edhe më i fortë në arenën ndërkombëtare.
“Koordinimi dhe unifikimi i politikave dhe qëndrimeve tona na bëjnë me të fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Shqiptarët mund të shndërrohen në një bërthamë të fuqishme për paqen dhe sigurinë e rajonit. E njoftova ministrin për situatën në veri dhe ndryshimet qe kane ndodhur atje dhe aktet e agresionit serb mbi Kosovën duke theksuar qe ndërkombëtarët pa vonese të dalin me një qëndrim të qartë për atë që ka ndodhur në Banjskë. Me pozicionin gjithnjë më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, Shqipëria luan rol proaktive në të gjitha tema e sigurisë dhe paqes ne rajonin tonë. Jemi koordinuar me te gjithë diplomatet për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në KiE dhe falënderoj Shqipërinë për angazhimin e saj ne këtë çështje,” tha Gërvalla.
Ministri i Jashtëm, Hasani e nisi turin treditor në rajon me Kosovën dhe më pas do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
/rtsh.al/