E Diel, 1 Nëntor 2026

Barack Obama betohet për një tjetër mandat si president i SHBA-ve

21-01-2013 / Gazeta 55

“Ne kemi fuqinë për të përcaktuar drejtimin e këtij vendi”. Barack Obama betohet për një tjetër mandat si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me anë të një ceremonie madhështore ai u betua mbi bibël para mijëra personave.
“Unë, Barack Hussein Obama, solemnisht betohem se me besnikëri do të shërbej në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do të bëj çdo gjë të mundshme në aftësitë e mia, që ta ruajë dhe ta mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Pra, të më ndihmojë Zoti”, ishte betimi i Obamës.
“Të kapim momentin!
Kjo gjeneratë e amerikanëve u testua nga kriza ekonomike, që theksoi vendosmërinë tonë dhe provoi rezistencën tonë. Një dekadë lufte tashmë po përfundon. Një rimëkëmbje ekonomike ka filluar. Mundësitë e Amerikës janë pafund. Amerikanët e mi, ne po e bëjmë këtë moment, dhe ne do të kapim atë - për sa kohe ne e arrijmë atë së bashku”, u shpreh Obama.
I pritur me duartrokitje që shpesh i ndërprisnin fjalën Obamës, po ashtu në
fjalimin tradicional përpara amerikanëve të mbledhur, ai vuri theksin tek liria, të drejtat e barabarta dhe demokracia.
“Sot po vazhdojmë një udhëtim që nuk do të përfundojë kurrë. Historia na ka mësuar se liria na vjen nga Zoti, por u takon njerëzve në tokë që ta mbrojnë dhe ta mbajnë të sigurt. Ajo që bashkon kombin tonë nuk është ngjyra e lëkurës, origjina apo emrat tanë. Kombin tonë e bashkon fakti se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë dhe kanë të drejta të pamohueshme. Shtetet e Bashkuara kanë detyrime kundrejt pjesës tjetër të botës dhe do të mbështesin gjithmonë demokracinë, nga Azia në Afrikë dhe nga Amerika në Lindjen e Mesme”, deklaroi Presidenti i SHBA.
Ajo që Obama nuk beri ne fjalimin e tij të parë pas betimit ishte një pasqyrim i axhendës së tij për këtë mandat të dytë. Në një kohë që debati për armët e zjarrit mbetet ende një çështje e nxehtë për amerikanet, po ashtu dhe sistemi i emigracionit si  dhe reduktimi i deficitit federal.
Ky është betimi i dytë i presidentit Obama për këtë mandat.
Me anë të një ceremonie private në Shtëpinë e Bardhë ai u betua ditën e diel pasi kushtetuta parashikon që presidenti të betohet më datë 20 janar.
Po ashtu dhe zëvendëspresidenti Joe Biden, ka dhënë betimin, për mandatin e tij të dytë. Biden, 70-vjeçar, e ka bërë betimin para gjyqtares së Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›