Berisha: Fitorja në 23 qershor e merituar – reformat garantuan rritjen ekonomike në kohë krize

Kryeministri flet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, për përgatitjet e selisë blu, lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai theksoi se PD meriton një mandat të tretë qeverisës, pasi me reformat e shqyrtuara dhe të miratuara u bë e mundur që Shqipëria në kohën më të vështirë të ekonomisë evropiane dhe botërore të qëndrojë si një ishull i rritjes ekonomike dhe punësimi të vazhdueshëm
UPDATE- Mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha e ka shfrytëzuar për përgatitjen për fitore në zgjedhjeve të 23 qershorit, që sipas tij kjo forcë politike e meriton në sajë të reformave që ka kryer. Ai tha se falë këtyre reformave Shqipëria qëndroi si një ishull i rritjes ekonomike dhe punësimit pavarësisht krizës evropiane. “Muajt e përgatitjes së gjithanshme të fitores së shkëlqyer të zgjedhjeve të 23 qershorit. Fitore plotësisht e merituar, sepse me reformat e shqyrtuara dhe të miratuara në këtë parlament u bë e mundur që Shqipëria në kohën më të vështirë të ekonomisë evropiane dhe botërore të qëndrojë si një ishull i rritjes ekonomike dhe punësimi të vazhdueshëm”- u shpreh ai. Kryeministri pranoi se në këtë periudhë problematikat janë të shumta si papunësia dhe varfëria, por sipas nga përballimi i suksesshëm i këtyre sfidave Shqipëria është i vetmi vend që papunësia nuk u rrit. Gjithashtu në mbledhjen e sotme kryeministri përmendi arritjet ekonomike të Shqipërisë në këto vite falë projekteve të qeverisë së tij. Duke u ndalur në datat historike të janarit si Kongresi i Lushnjës, Berisha vlerësoi rëndësinë e këtij Kongresi në konsolidimin e shtetit shqiptar. Në këtë datë e cila përkon edhe me ndarjen nga jeta të presidentit kosovar Ibrahim Rugova, kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj tij dhe vlerësoi veprën e Rugovës.
...