Barak: Nuk kemi premtuar se nuk do ta sulmojmë Iranin

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, deklaroi se Izraeli asnjëherë nuk i ka premtuar SHBA-së se do të përmbahet nga sulmet ndaj Iranit, përderisa zhvillohen bisedime për programin bërthamor në këtë vend.
Barak këto bisedime i konsideron "humbje të kohës së çmuar", me çka edhe më shumë e theksoi mospajtimin midis dy vendeve aleate, Izraelit dhe SHBA-së, në lidhje me atë se si të sillet ndaj Iranit dhe zhvillimit të programit të tij bërthamor.
"Ne nuk jemi të obliguar për asgjë. Dialogu me amerikanët është i drejtpërdrejtë dhe i hapur", theksoi Barak.
Liderët izraelitë konsiderojnë se Irani i armatosur me bombë bërthamore do të paraqesë kërcënim ekzistencial për shtetin hebraik, duke theksuar se nuk do të lejojë Iranin që ta prodhojë.