“Barça është e ndershme”/ Laporta shpërthen ndaj Real Madrid: Janë favorizuar gjithmonë nga arbitrat

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka lëshuar një sulm të ashpër ndaj Real Madrid dhe homologut të tij Florentino Pérez, gjatë vizitës së tij në Andorra la Vella.
Reagimi i Laportës erdhi pas akuzave të ngritura në Asamblenë e fundit të Real Madrid, ku Pérez sugjeroi se suksesi i Barcelonës lidhej me pagesat e kryera ndaj Enriquez Negreira.
Laporta i cilësoi deklaratat “totalisht jashtë loje” dhe shenjë të asaj që ai e quajti “Barceloniti kronike” të Madridit, raporton “Mundo Deportivo“.
“Ata duhet të flasin për Barçën për të justifikuar… nuk e di se çfarë. Kanë qenë në çdo shkallë të procesit gjyqësor të çështjes Negreira, e zvarrisin me qëllim sepse e dinë që nuk ka asgjë. Barça nuk ka blerë kurrë arbitra dhe arbitrat nuk e favorizojnë Barçën, i kanë favorizuar Madridin gjithë jetën”, tha Laporta.
Presidenti blaugrana solli edhe një shembull të fundit për të mbështetur deklaratat e tij: “Në javën e kaluar, Madrid shënoi dy gola krejtësisht të parregullt: një me prekje të dorës nga Bellingham dhe një tjetër ku Vinicius i thyen hundën Iñakit. Ato gola nuk duhet të kishin vlejtur. Barça do të kryesonte kampionatin tani”.
Gjatë ditës, Laporta mori pjesë në disa evente simbolike: rikthimi i skulpturës ikonike Gol, takimi me anëtarë dhe tifozë në principatë, si dhe prezantimi i librit Principat Blaugrana nga Àlex Terés.
Ai theksoi se sulmet e Madridit nuk do të zbehin epokën më të ndritur të Barcelonës: “Kishin një kompleks për periudhën 2004–2015 kur Barça ishte hegjemone dhe modeli i futbollit botëror. Ne fituam shumë tituj dhe u admiruam për stilin tonë të lojës. Këto justifikime janë thjesht simptoma të një humbësi të keq”.
Laporta kritikoi edhe kanalin zyrtar të Real Madrid, duke e akuzuar atë për presion të qëllimshëm ndaj arbitrave: “Real Madrid TV po përpiqet të ndikojë te arbitrat çdo javë”.
Presidenti i Barcelonës komentoi edhe sulmet e Florentino Pérez kundër presidentit të LaLigës, Javier Tebas, duke i cilësuar ato si shqetësuese.
“Kam pasur ngritje e ulje me Tebas, por ai është njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Madrid ka obsesion ta largojë. Kjo strategji nuk më jep aspak besim. Po e zëvendësojnë me kë?” përfundoi Laporta.
Pas 13 javësh të luajtura në La Liga, Real Madrid kryeson me 32 pikë, 1 më shumë se Barcelona e vendit të dytë. Ndërsa më pas vjen surpriza Villareal me 29 pikë.