Barcelona, 4 ditë vendimtare për katalanasit

Me një Lionel Messi magjik që shënon pothuajse në cdo ndeshje, djemtë katalanas do presin nesër Arsenalin për të prerë biletën e gjysmëfinales së Champions, ndërsa pak ditë më vonë do udhëtojnë në “ferrin” e Madridit për të zhvilluar derbin “Klasik” me Realin e Madridit ku fitorja bën më shumë punë se barazimi.
Ibrahimovic, Iniesta, Puyol, Pique e Chygrynkyi janë të padosponueshëm për ndeshjen e nesërme, ndërsa për derbin, Zlatan, Iniesta e Pique vazhdojnë të ngelen në dyshim. Por Guardiola ka alternativa të shumta. Një prej tyre është i riu Krkic që ka shenuar 4 gola në tre ndeshjet e fundit, ndërsa Henry ka treguar se është ende një pikë ku mund të mbështetet tekniku.
Rekuperimi i Gabriel Milito pas pothuajse dy vjetësh është një lajm i mirë për mbrojtjen, ndërsa Pedro mund ta konsiderojë veten një sulmues titullar. Por mbi të gjithë qëndron argjentinasi Lionel Messi që sezonin e shkuar shënoi 38 gola në 51 ndeshje duke fituar gjithcka që i doli përpara. Në këtë sezon do të luhen edhe 9 ndeshje dhe Messi ka shënuar 35 gola, pavarësisht eleminimit nga Kupa e Mbretit. 26 janë golat e shënuar në La Liga, 2 më shumë se rivali i drejtëpërdrejtë, Higuain.
Në të gjitha kompeticionet ai e ka mesataren 0.83 gola për ndeshje, ndërsa në “Camp Nou” ka një mesatare 1 gol për ndeshje. Me këto shifra, Barcelona ka shumë mundësi ta kalojë me sukses këtë periudhe tepër delikate, e cila do vendosë edhe fatin e Bep Guardiolës në krye të pankinës “blaugrana”.