Barcelona dërmon Lyonin
Barcelona ka dërrmuar në Camp Nou kampionin e Francës, Lyonin, duke e mposhtur me rezultat 5-2 në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve dhe duke siguruar çerekfinalen. Blaugranët dominuan ndeshjen në sulm duke krijuar raste të shumta, dhe jo që nuk munguan golat, por ato erdhën me bollëk.
Pjesa e parë
Sulmuesi francez Thierry Henry ishte ai që hapi rezultatin pas 25 minutash lojë, kur shënoi pas një asistimi të mbrojtësit Marquez. Nuk zgjati shumë dhe i njëjti lojtar dyfishoi rezultatin, kësaj here pas një asistimi të mesfushorit Xavi. Por, vendasit nuk u mjaftuan me kaq, dhe të liruar nga presion shënuan edhe dy herë, përmes dy sulmuesve të tjerë, Lionel Messi dhe Samuel Eto'o. Argjentinasi shëtiti mbrojtjen e mysafirëve, sikur ajo të mos ishte, për të shënuar golin e tretë të Barcelonës, pesë minuta para fundit të pjesës së parë (40'). Hovi i vendasve në pjesën e parë përfundoi me një gol të Eto'o, tre minuta më vonë (43'). Euforia e vendasve në këto minuta të fundit të pjesës së parë, mbase iu kushtoi edhe me një gol të pranuar. Pas një harkimi të Juninhos nga këndi, topi gjeti kokën e mesfushorit Jean Makoun, goditja e të cilit përfundoi në rrjetën e portierit Victor Valdes.
Pjesa e dytë
Edhe pjesa e dytë ishte me plot raste dhe dominuese për Barcelonën, por ishin mysafirët ata që filluan më mbarë. Lyoni, ashtu siç e mbaroi pjesës e parë, filloi edhe pjesën e dytë duke shënuar me anë të kapitenit Juninho, për të ngushtuar disavantazhin në 4-2. Por, rezultati në favor të Barcelonës shkaktonte pakënaqësi tek lojtarët e Lyonit, që ishin ca më të ashpër në minutat e fundit të ndeshjes e që rezultoi edhe me përjashtim të brazilianit Juninho. Të favorizuar edhe me lojtar më shumë, blaugranët shënuan edhe një herë me anë të Seydou Keita, që vulosi rezultatin në minutën e pestë shtesë të ndeshjes. Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 6-3.