Bardhi: Dënim politik i paprecedent ndaj Salianjit

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas dënimit të deputetit Ervin Salianji me 1 vit burg për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit.
Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Bardhi dënoi këtë vendim, që e cilësoi si politik.
“Së pari, në emër të grupit të PD, dënoj me forcë vendimin politik të urdhëruar nga zyra e Edi Ramës kundër deputetit Ervin Salianji”, tha ai.
Bardhi e cilësoi si një vendim të paprecedent.
“Ky është vendim i paprecedent. Nuk ka asnjë rast në Shqipëri, që dikush për kallëzim të rremë të ketë shkuar në burg”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD, theksoi se, “vendimi i sotëm nuk është kundër Ervin Salianjit, është kundër çdo qytetari që vendos të përballet me qeverinë e kriminalizuar”.