LIBAN – Dhjetëra-mijëra të zhvendosur pas bombardimeve të fundit izraelite

BEJRUT, 26 shtator /ATSH-DPA/ Mijëra banorë në Liban kanë kërkuar strehim në strehimoret zyrtare të urgjencës që nga sulmet ajrore intensive të rinovuara të Izraelit, tha Ministri i Brendshëm i vendit.
“Një total prej 70 100 personash të zhvendosur janë aktualisht të regjistruar në 533 qendra emergjente”, tha sot ministri i Brendshëm libanez Bassam Mawlawi në një konferencë për shtyp në Bejrut.
Shkollat, kryesisht janë shndërruar në strehimore urgjente. Ekziston ende një fluks i madh i të zhvendosurve nga jugu.
Numri i saktë i personave të zhvendosur brenda vendit në Liban është aktualisht i vështirë për t’u përcaktuar – pasi shumë njerëz kanë ikur te të afërmit – ndërsa të tjerët flenë në rrugë.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha dje, duke cituar autoritetet libaneze, se rreth 90 000 banorë konsideroheshin të zhvendosur që nga e hëna.
Sipas OKB-së, kjo nuk është hera e parë që shumë prej personave të zhvendosur duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të gjetur siguri.
Zyra e OKB-së pret që numri i personave të zhvendosur të vazhdojë të rritet – pasi situata mbetet e paqëndrueshme dhe shumë njerëz janë ende në lëvizje. //a.i/