Bardhi: Jemi të gatshëm për çdo akt ekstrem

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së zhvilluar sot nga një grup i deputetëve të Rithemelimit, i bëri thirrje kryetares së Kuvendit të zbatojë Kushtetutën.
Sipas Bardhit, revolta e opozitës në Kuvend është shfaqur pasi mazhoranca nuk ka pranuar ngritjen e komisioneve hetimore, çka sipas tij është e drejtë kushtetuese. Bardhi paralajmëroi se, opozita do t’i përgjigjet “provokimeve” të Partisë Socialiste.
“Revolta e deputeteve të opozitës në Kuvend ka të bëjë me tre kërkesa të drejta, të pranohen komisionet hetimore. 45 deputetë kanë kërkuar ngritjen e 3 komisioneve hetimore dhe mazhoranca është e detyruar t’i pranojë, kush do jenë përfaqësuesit e opozitës në komisionin e reformës zgjedhore i cakton opozita dhe jo mazhoranca”, u shpreh ai.
Sipas tij, “Reforma zgjedhore është çështje e deputetëve, përfshi të Partisë së Lirisë dhe PDIU që kanë përfaqësuesit e tyre, kemi dorëzuar një propozim, për përbërjen e komisionit. Nuk mundet kundërshtari politik të na thotë nuk duam këto, por do keni këto që dëshirojmë ne”.
“Nikolla duhet të heqë dorë së trajtuari e veten si specialiste e arkivit të protokollit të Bashës, duhet të respektojë rregulloren e parlamentit. Çdo provokimi do t’i përgjigjemi me mjete demokratikët, nuk pranojmë asgjësimin e opozitës, do mbrojmë mandatet tona të fituara me sakrificë, me votë të qytetarëve. Po na nxisin drejt kateve ekstreme, jemi gati të bëjmë çdo akt ekstrem brenda hapësirës demokratike për t’u vetëmbrojtur deputetët e opozitës”, tha Bardhi.
“Nëse mendojnë që do ta shuajnë të drejtat e opozitës duke vendosur përjashtime arbitrare, i kanë bërë llogaritë gabim. Do jemi në mbledhje, ndaj të cilëve kërkohet marrja e masës. Ndryshe nga hera tjetër kur nuk u njoftuam, kësaj here na kanë njoftuar 1 orë para, a thua se ne rrimë pas derës së Ramës në Kuvend. Megjithatë kemi marrë vendim që do të shkojmë tek mbledhja. Ne nuk njohim asnjë vendim përjashtimi. Kjo është shenjë arrogance e mazhorancës ndaj deputetëve të opozitës. Ripërsëris apelin tim, të heqin dorë nga aktet e provokimit të opozitës”, tha Bardhi.
/rtsh.al/