Bardhi: Kërkojmë draft-opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Xhaçkës

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, kërkoi që kjo e fundit t’u vërë në dispozicion draft-opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka.
Sipas deputetit të Partisë Demokratike, draft-opinioni u është dhënë deputetëve të Partisë Socialiste, por nuk u është shpërndarë grupeve të tjera parlamentare.
“E para në cilësinë e kryetares së Kuvendit keni marrë draft-opinionin e Komisionit të Venecias keni detyrim që t’ia shpërndani 4 grupeve parlamentare që kanë qenë të përfshirë në procedurën e konsultimit nga Komisioni i Venecias që ajo që u fol me anëtarët e Komisionit të Venecias gjatë seancave dëgjimore të ketë mundësi të materializohet. Na kanë kërkuar që përpara se të kalojë në seancën plenare ne të kemi mundësi që nëse kemi një koment apo sugjerim për ekspertët ata të kenë mundësi të reflektojnë. Kjo është procedurë që është ndjekur gjithmonë. Numri 2 i partisë suaj ka qenë i ulur në karrige dhe nuk ka guxuar ta bëjë këtë që bëni ju. Gjithmonë sa herë vinte draft opinioni, Ruçi ia shpërndante për mendim grupeve parlamentare”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, kjo nuk është çështje e Partisë Socialiste, por e Kuvendit dhe opozita ka të drejtë që të japë opinionin e saj.
“Nuk të kërkuam të vijmë në delegacion me ju zonja kryetare, por ajo që po kërkoj është se delegacioni që përfaqëson Shqipërinë në atë rast, Kuvendi në një institucion ndërkombëtar siç është Komisioni i Venecias duhet të jetë i balancuar.
Nëse këtë pastaj e keni çështje të PS-së na e thoni, ju si kryetare i jeni drejtuar Komisionit të Venecias për ta sqaruar një çështje Kushtetuese që ka lidhje me Republikën e Shqipërisë. Na vini në dispozicion draft-opinioni”, tha Bardhi.
Deputeti theksoi se ka marrë një email nga drejtori i Komisionit të Venecias, se i është dërguar draft-opinioni kryetares se Kuvendit.
“Unë e kam me email nga drejtori që drafti ju është dërguar ju dhe na është udhëzuar që t’i drejtohemi kryetares së Kuvendit që ta na e vërë në dispozicion draftin. Kemi të drejtë që të njihemi me draftin. Kemi të drejtën tonë si opozitë, ta kemi edhe ne siç e kanë kolegët e mazhorancës. Ju keni bërë delegacion njëpartiak dhe ne nuk kemi mundësi që të japim mendimin tonë. Siç ia keni vënë në dispozicion kolegëve të mazhorancës, duhet të kemi edhe ne mundësi, është e drejta jona ta bëjmë këtë dhe ju nuk e mohoni”, tha Bardhi.
Komisioni i Venecias shqyrton nesër dhe pasnesër (6-7 dhjetor) kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë ku kërkohet opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Seanca plenare e Kuvendit, Foto: Florian Abazaj 1 nga 5/j.p/