Zhupa fjalë ofenduese ndaj Braçes, PS largohet nga Kuvendi, ndërpritet seanca

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Seanca plenare e kuvendit u ndërpre, pasi deputetët e Partisë Socialiste braktisën sallën e Kuvendit, pas ofendimit që deputetja Ina Zhupa bëri ndaj deputetit socialist Erion Braçe.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa gjatë fjalës së saj në interpelancën me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, reagoi ndaj deputetit Erion Braçe.
“Në mungesë të dhënies së fjalës për replikë me z. Xha Sulo nga filmi “Kapedani” alias Erion Braçe, dua të them që po z. Braçe keni problem të madh me gjatësinë por nuk ta zgjidh dot unë këtë problem dhe unë nuk i dëgjoj ata nën 1 e 50 metra është e vërtetë. Unë nuk e di kush ta jep të drejtën që të më quash si ruse, sepse nuk ia jap vetes të të quaj kone edhe pse të quajnë të gjithë. Por megjithatë kjo është çështje personale. Me thënë të drejtën nga anët e mia, nga unë vij fëmijët ne i trajtojmë me shumë respekt dhe i mbajmë mirë dhe kur futen në çështje të të mëdhenjve”, u shpreh Zhupa duke cituar një shprehje ofenduese.
Në këtë moment, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i ka bërë thirrje deputetes Ina Zhupa dhe deputetëve të tjerë të përmbahen, ndërsa deputetët socialistë dhe ministrat braktisën sallën e Kuvendit në shenjë proteste.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi i cili qëndroi në sallë pas largimit të deputetëve të mazhorancës, u shpreh në emër të grupit parlamentar të PS-së se mbështetur në rregullore, mbështetur në moral qytetar, kërkon ndërprerjen e seancës derisa deputetja të kërkojë ndjesë publike.
“Ne këtu nuk përfaqësojmë vetëm veten tonë, apo familjen tonë, apo kulturën tonë personale, ne këtu përfaqësojmë edhe moralin e shoqërisë. Duam apo s’duam ne e modelojmë shoqërinë me zgjedhjen tonë dhe s’mund të lejojmë që fëmijët tanë të dëgjojnë këtë gjuhë. Kërkojmë ndërprerjen e seancës deri sa të kërkohet falje publike”, u shpreh Peleshi.
Debatet vijuan edhe pas kësaj deklarate, me deputetë të opozitës që dolën në mbështetje të Zhupës në foltore.
Pasi kjo e fundit përfundoi fjalën e saj në lidhje me interpelancën e kërkuar me ministrene Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu për sigurinë në shkolla, Spiropali ndërpreu seancën.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali që të mbahet qëndrim ndaj deputetit socialist Erion Braçe për ofendimin ndaj deputetes Ina Zhupa.
Spiropali u shpreh se, “unë mbaj qëndrim në çdo rast kur ka fyerje dhe më ka shkuar goja pas veshit sa herë që dëgjoj këtu fjalor, i cili nuk ka vend në Kuvendin e Shqipërisë. Z. Bardhi, përtej rasteve të dy deputetëve Zhupa dhe Braçe dua të them në parim që ju dhe të gjithë deputetët që fyejnë duhet të kërkojnë falje. Po e kërkoj unë faljen në emër të Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë deputetët në emër të të gjithë deputetëve”, tha Spiropali.
“Seanca ndërpritet sepse jemi në mes të një interpelance dhe ka nevojë që interpelanca të zhvillohet sipas rregullores. Zhupa e parashtroi interpelancën 7 minuta. Po e ndërpres seancën për të marrë masat që kjo interpelancë të vijojë”, tha Spiropali. /j.p/
Deputetja Ina Zhupa në Kuvend, foto: Florian Abazaj 1 nga 2