E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Komisionet Hetimore parlamentare instrument i transparencës, jo i bllokimit politik

TIRANË, Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin e saj parlamentar pasi Kuvendi rrëzoi dy kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore për zgjedhjet e 11 majit dhe  çështjen ‘McGonigal’.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se “refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës, për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me “McGonigal”, është një akt antikushtetues që asgjëson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar”.

Sipas tij, “përmes këtij akti Edi Rama nuk asgjëson vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizmin”.

Bardhi shprehet përmes një postimi në rrjetet sociale se Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument i transparencës, jo i bllokimit politik.

“Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane. Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari, nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjësuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjësojnë edhe Parlamentin”, deklaron Bardhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›