E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bardhi: Mbi 800 tonë mbetje të rrezikshme po kthehen në portin e Durrësit

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se “aktualisht sipas informacioneve të bëra publike dy anije me 100 kontenierë që përmbajnë rreth 816 tonë mbetje brenda tyre po kthehen në Portin e Durrësit”

Në interpelancën e kërkuar prej tij ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e mbetejeve toksike, Bardhi tha se “organizata joqeveritare amerikane rrjeti i aksionit të Bazelit është shprehur për mediet presitigjioze përfshirë ‘Zërin e  Amerikës” se ajo është e bindur se porti i Durrësit jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasa edhe nga vende të tjera europiane mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike”.

“Ne gjykojmë që këtë çështje qeveria duhet ta kishte sqaruar pa pasur nevojë që opozita të kërkonte interpelancë me qytetarët dhe që lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin e tyre. Më 8 gusht 2024 tre organizata ndërkombëtare të mjedisit denoncuan faktin se dy anije të nisura nga porti i Durrësit po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Azisë. Anijet ishin nisur në korrik pa konfirmimin që vendi pritës, që në rastin konkret ishte Tajlanda do t’i pranonte. Kur qeveria e Tajlandës mësoi për llojin e ngarkesës që transportonin anijet e nisura nga porti i Durrësit refuzoi t’i pranonte në territorin e saj”, bëri të ditur Bardhi.

Bardhi u shpreh se “ngarkesa në fjalë sipas organizatave mjedisore ishte pluhur i furrës, një produkt mbetjesh të rrezikshme qe zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike di kromi që janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin”.

Sipas tij, ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm dhe për këtë arsye kompanitë që e prodhojnë dyshohen edhe kompani jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e transportojnë atë për shkak se përpunimi i tyre kërkon shpenzime marramendëse.

Bardhi tha se “për sasinë e eksportuar së fundmi dyshimet e arsyetuara tregojnë se hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës “Sokolaj” sh.p.k e licencuar nga kjo qeveri, prodhimi dhe mbetjet kanë të bëjnë më fabrikën e Kurum International sh.a në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. Rrjeti i aksionit të Bazelit është shprehur se në muajin prill po nga porti i Durrësit janë nisur për në Kinë gjithashtu disa tonë mbetje të rrezikshme të cilat mbahen të bllokuara dhe pritet të kthehen në portin e Durrësit”.

Lidhur me këtë, vijoi Bardhi, ka pasur disa reagime konfuze nga institutcionet përgjegjëse disa ditë ditë më vonë se sa kur për herë te parë doli lajmi përfshirë këtu ministrinë përgjegjëse për Mjedisin, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Portin e Durrësit , Drejtorinë e Doganave dhe Policinë e Shtetit etj.

“Ka dyshime serioze se Shqipëria ka shkelur konventën e Bazelit, traktatin e Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme, vendet nënshkruese mes tyre edhe Shqipëria nuk lejohen të dërgojnë mbetje helmuese në një vend tjetër nëse nuk kanë marrë miratimin paraprak nga vendi pritës”, tha Bardhi.

Bardhi u shpreh se “kjo tregon se nuk kemi të bëjmë më një ngjarje të izoluar, por me një aktivitet të mirëfilltë kriminal”.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›