E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Ndryshimet ligjore të njëanshme, PD nuk do të marrë pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike nuk do të marri pjesë në punimet e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian nëse Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin “Rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE”.

Kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, teksa diskutohej projektligji për “Rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në BE”, tha se ligji ka konflikt interesi dhe është i njëanshëm, teksa theksoi se i merr opozitës rolin që i takon në Kuvend në procesin e integrimit.

“Projektligji është propozuar nga një deputet që kërkon të bëhet kryetar i këtij Këshilli, duke ja marrë opozitës. Deputeti (Taulant) Balla, që është propozues i ndryshimeve ligjore është në konflikt interesi, pasi përmes këtyre ndryshimeve emëron veten në krye të Këshillit Kombëtar i Integrimit Evropian”, tha Bardhi.

“Së dyti, shtoi ai, mazhoranca ka ekzekutivin, ka drejtimin e parlamentit, prandaj opozita ka rolin e saj duke drejtuar këtë Këshill dhe Komisionin e Jashtëm apo të Integrimit. Ju e morët komisionin e Integrimit, po merrni dhe këtë”.

“Projektligji është totalisht i njëanshëm dhe nuk është pyetur fare opozita”, shtoi ai.

“Për të gjitha këto, PD nuk do të marri pjesë më në Këshillin e Integrimit nëse ndryshimet ligjore miratohen”, tha Bardhi ndër të tjera.

Deputeti Tritan Shehu tha se pojektligji për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian dëmton procesin e integrimit.

“Kjo mazhorancë kërkon të kontrollojë edhe këshillin e integrimit, ky ligj ul rolin e Kuvendit në procesi e integrimit, ashtu sikurse dëmton procesin e integrimit. Procesi i integrimit bazohet në balancat mazhorancë opozitë, ligji ekzistues që kemi i ka këto balanca, duke pasur një konsensus, mazhorancë-opozitë. Ky ligj sillet në mënyrë të njëanshme, duke prish konsensusin që kishte ligji i parë.

Duke e bërë në këtë mënyrë, ngre dy probleme, njëanshmërinë e tij dhe dëmton rëndë procesin e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e integrimit. Në vende të tilla si Shqipëria të gjitha rekomandimet e BE janë që të ruajmë balancat, duke i dhënë rolin drejtues në këshill opozitës. Ju keni lëvizur në mënyrë tinëzare për të dëmtuar dhe shkatërruar rolin e opozitës në procesin e integrimit.

Ju eliminoni komisionin e integrimit, që drejtohej nga opozita, e bashkuat me komisionin e politikës së jashtme, tani doni t’ia hiqni edhe rolin këtij komisioni. Me çfarë logjike mund të kemi të tilla vendime arbitrare në një moment delikat për procesin e integrimit, që shkon kundër direktivave të BE që kërkon pjesëmarrjen e opozitës. PD ka vendosur të mos marrë pjesë në këshillin e integrimit, do ketë kosto të rëndë politike,. Ne aspirojmë integrimin, por bazohet në disa parime, principe. U bëj thirrje kolegë të mazhorancës të mos e votojmë këtë ligj, ta ripunojmë sërish me konsensus dhe ta sjellim të plotë”, tha Shehu.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›