Kuvendi seancë maratonë, voton 13 projektligje

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë nisi sot në orën 10:00 seancën plenare, e cila vijoi deri në mesnatë me shqyrtimin e projektligjeve dhe projektvendimeve të renditura sipas agjendës dhe më pas votimin e tyre.
Në hapje të seancës, deputetët shqyrtuan Raportin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024, ku u paraqitën të dhëna mbi performancën institucionale, proceset zgjedhore dhe rekomandimet për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve në vend.
Më tej, Kuvendi kaloi në shqyrtimin e disa projektligjeve, mes të cilave tri nisma që lidhen me financimin e projekteve hekurudhore, me synim rritjen e investimeve në infrastrukturën e transportit dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor në Shqipëri.
Deputetët diskutuan gjithashtu edhe projektligje që prekin sektorin energjetik, përfshirë nisma që synojnë përmirësimin e sigurisë energjetike, rritjen e eficiencës dhe harmonizimin me direktivat europiane.
Në seancë u shqyrtua edhe projektligji që fuqizon rolin mbikëqyrës të Kuvendit në procesin e integrimit europian, si dhe projektligji që parashikon përmirësime në funksionimin dhe kompetencat e institucionit të Avokatit të Popullit.
Në rendin e ditës ishin edhe tre projektvendime, ndër të cilat zgjedhja e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka kualifikuar Lefterije Lleshin si kandidaten e vetme që plotëson kriteret dhe kushtet ligjore për këtë pozicion.
Në total, Kuvendi shqyrtoi sot 20 pika të rendit të ditës, prej të cilave 16 projektligje.
Teksa për pikën e Avokatit të Popullit, palët patën dakortësinë, ndryshe ndodhi për projektligjin për disa ndryshime në ligjin “për Rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit në BE”, ku PD paralajmëroi bojkotimin e punimeve të Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Adela Xhemaili u zgjodh anëtare e bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe do të jetë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv.
Lefterije Lleshi Luzi u zgjodh Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil me mandat 5-vjeçar.
Votimi:
1. Projektligji “Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me fondacionin Hanns-Seidel”: Pro: 79, Kundër: 0, Abstenime: 21;
2. Projektligji “Për aderimin në Traktatin e Marrakeshit për akses në veprat e botuara për personat e verbër”: Pro: 100, Kundër: 0, Abstenim: 0;
3. Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale”: Pro: 102, Kundër: 0, Abstenim: 0;
4. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në Rajonin e Mesdheut, bërë në Maltë, më 11 korrik 1997”: Pro: 100, Kundër: 0, Abstenim: 0;
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit BEI për projektin hekurudhor të Korridorit VIII (faza I–Shqipëri)”: Pro: 79, Kundër: 21, Abstenim: 0;
6. Projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare me BEI për Korridorin VIII”: Pro: 79, Kundër: 21, Abstenim: 0;
7. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas me BERZH për seksionin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë të Korridorit VIII”: Pro: 79, Kundër: 21 Abstenim: 0;
8. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë me BERZH për projektin fotovoltaik solar të KESH”: Pro: 79, Kundër: 22, Abstenim: 0;
9. Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”: Pro: 79, Kundër: 0, Abstenime: 23;
10. Projektligji për ndryshime në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”: Pro: 78, Kundër: 23, Abstenim: 0;
11. Projektligji për ndryshime në ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”: Pro: 79, Kundër: 24, Abstenim: 0;
12. Projektligji për ndryshime në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në BE”: Pro: 79, Kundër: 23, Abstenim: 0;
13. Projektligji për ndryshime në ligjin “Për Avokatin e Popullit”: Pro: 101, Kundër: 0, Abstenim: 0;
14. Projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të AMF, që do të jetë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv”: Pro: 78, Kundër: 22, Abstenime: 2;
15. Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil”: Pro: 79, Kundër: 4, Abstenim: 1.
/r.e/a.f/