E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bardhi: Nesër në seancë, përjashtimi i deputetëve të opozitës është antikushtetues

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se, aksioni opozitar do të vijojë, ndërsa siguroi se nesër deputetët e përjashtuar të opozitës do të shkojnë në seancë.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bardhi u shpreh se, “PD e konsideron veprimin e mazhorancës ndaj deputetëve të opozitës si akt provokimi të papranueshëm dhe sigurisht askush nga deputetët tanë nuk mund t’i nënshtrohet vendimeve personale në një shtet që Edi Rama e ka shndërruar në shtet personal”.

“Të dënosh deputetët pa ligj, të përjashtosh gjysmën e grupit parlamentar të opozitës nga Kuvendi. T’ i detyrosh ata që praktikisht në 2 muaj të mos kenë mundësi për të ushtruar mandatin e tyre është një akt antikushtetues të cilit ne kemi vendosur të mos i nënshtrohemi dhe pa diskutim që nesër të gjithë do të jemi në seancë plenare”, tha Bardhi.

“Padyshim që Edi Rama mund të na vërë përballë ushtrinë, policinë, siç ja ka vënë në fakt çdo qytetari që nuk i nënshtrohet urdhrave arbitrare antiligjore të kësaj mazhorance, mund t’ia vendosë edhe deputetëve të opozitës”, theksoi Bardhi.

Ai shtoi se, “një Kuvend në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për në BE, që pengon deputetët e opozitës me forca sigurie të hyjnë në vendin e tyre të punës, praktikisht shfaq në sytë e çdo qytetari shqiptar, në sytë e opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar tiparet e vërteta të shtetit që po ndërton Edi Rama”.

I pyetur në lidhje me përgjigjen e SPAK për kallëzimin e tij për disa mesazhe në Signal, duke thënë se mesazhet janë të manipuluara, Bardhi tha se, “manipulimeve do t’i përgjigjem me rrugë institucionale ashtu siç kam vepruar. Ajo që ju kam thënë ditën që kam dalë nga zyra e Prokurorisë së Posaçme që prokurorët më konfirmuan zyrtarisht që bisedat janë të sajuara. Sot fatmirësisht SPAK e ka konfirmuar këtë përmes një njoftimi zyrtar”.

Padyshim, shtoi Bardhi, “që ka politikanë të lartë të mazhorancës, të cilët tashmë dihen për lidhjet e tyre me krimin që janë vërtet në dosjet e SPAK-ut të përmendur për bashkëpunimin e tyre me krimin e organizuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›