Bardhi: Një funksionar ju kërkoi mbylljen e ‘Xibrakës’, Dumani: S’marr, as nuk përcjell asnjë lloj mesazhi

TIRANË, 15 korrik /ATSH/Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka drejtuar sot 5 pyetje kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani pas raportimit në Kuvend.
I pyetur nga Bardhi nëse ka shkëmbyer mesazhe me kryeministrin Edi Rama që të mbyllë dosjen, kreu i SPAK tha se marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë janë vetëm institucionale dhe procedurale.
“Rezulton, sipas informacioneve që disponon grupi parlamentar i PD, se Kryeministri Edi Rama përmes një shtetasi, emrin nuk po e përmend por ju dhe unë e dini fort mirë për këtë bëhet fjalë, një funksionar publik në një nga institucionet e pavarura, i ka përcjellë drejtuesit të SPAK juve, një mesazh privat duke kërkuar që të çështja Xibraka, e rihapur nga SPAK, të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Duke vlerësuar integritetin e drejtuesit të SPAK, dhe duke mos ju kërkuar ju të komentoni veprimin e Kryeministrit se ai është veprim politik e komentojmë ne të tjerët, unë dua ta dëgjoj prej jush përgjigjen që ju i keni përcjellë Kryeministrit të Shqipërisë mbi këtë çështje”, pyeti Bardhi.
Kreu i SPAK, Dumani deklaroi sot se marrëdhënia e tij me çdo zyrtar është institucionale dhe proceduriale.
“Nuk mund te jap asnjë koment. Çështja që ju i referoheni “Xibraka” është në hetim. Lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin apo me çdo titullar institucioni në Republikën e Shqipërisë, qoftë edhe me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, marrëdhëniet e mia si drejtues janë vetëm institucionale dhe procedurale. Institucionale kur patjetër institucionet kanë nevojë të bashkëpunojnë dhe proceduriale kur nëse ndonjëri prej tyre është e nevojshme të thirren në cilësinë e deklaruesit, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, apo në cilësinë e të pandehurit. Nuk marr, as nuk përcjella asnjë lloj mesazhi. Ushtroj detyrat e mia në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore. Kjo është marrëdhënia ime që ekziston me të gjithë pa përjashtim”, u përgjigj Dumani.