Metani: Ka pasur anatemim të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga opinioni publik dhe politika

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani deklaroi sot se zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka luajtur një rol proaktiv, në lidhje me identifikimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore të kryera nga ana e magjistratëve.
Gjatë raportimit në Kuvend, Metani theksoi se ky model pune do të vijojë edhe në vazhdim dhe gjithmonë, por gjithnjë duke respektuar parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe mbështetur mbi një gurthemeli të rëndësishëm të shtetit të së drejtës dhe demokracisë së një vendi, siç është ai i pavarësisë së sistemit gjyqësor.
Ai deklaroi edhe se ka pasur ka patur raste të komentimit të vendimeve gjyqësore, kritika ndaj tyre, madje dhe deri në anatemimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve apo të magjistratëve nominalisht.
“Edhe nga opinioni publik. Edhe nga politika. Nuk është e lehtë për magjistratët, por vlerësoj se ky është një proces dhe një sfidë që duhet të përballohet nga ana e tyre, pasi në këtë rast duhet të prevalojë e drejta e publikut mbi mbikëqyrjen e punës së tyre, pse jo edhe angazhimin në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e administrimit të drejtësisë”, theksoi ai.
Ajo që duhet thënë, vijoi Metani, është se niveli shpeshherë i tejkaluar i kritikës ndaj punës së tyre, nuk i prek dhe as nuk i ul aspak garancitë që Kushtetuta ka dhënë për pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, në punën e diskrecionin e vendimmarrjes së tyre.
“Nëse sistemi i drejtësisë përballet me mangësi apo problematika në kuadër të integritetit, pavarësisë apo efiçencës, kjo nuk është përgjegjësi, vetëm e magjistratëve. Këto problematika kërkojnë një adresim të qartë dhe zgjidhje të kujdesshme, në aspekt sistemik dhe nuk mund të adresohen vetëm nëpërmjet sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve, siç pretendohet vazhdimisht, mbi rolin dhe funksionet e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, u shpreh ai.
/r.e/