E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bardhi: Po keqpërdoren mësuesit dhe nxënësit për aktivitete politike

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit Gazment Bardhi, njëkohësisht kandidat për deputet në këtë qark, ka denoncuar në një postim në rrjetet sociale keqpërdorimin që, sipas tij, po u bëhet mësuesve dhe nxënësve “për aktivitete të stisura politike”.

Bardhi ka publikuar mesazhin e një mësuesi në lidhje me aktivitetet e zhvilluara nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht drejtuese e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit.

“Keqpërdorimi i mësuesve dhe nxënësve për aktivitete të stisura politike është krim!”, shkruan Bardhi, teksa ndan dhe mesazhin që sipas tij i ka mbërritur në celular.

“Qytetarët e Fierit i kanë braktisur dhe sot secili prej tyre pyet: Ku është SPAK për të ndëshkuar krimet elektorale?”, shkruan Bardhi.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›