E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PL: Bujqësia prioritet, buxheti për këtë sektor do të jetë 30 miliardë lekë çdo vit

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, deklaroi sot se bujqësia dhe ushqimi janë lënë pas dore nga qeveria.

Ajo theksoi se Partia e Lirisë do të fokusohet tek fermerët, duke i dhënë atyre vëmendjen që meritojnë dhe duke e bërë bujqësinë një nga pesë prioritetet kryesore të programit të saj.

“Programi i Partisë së Lirisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, si super prioritet, vjen me mbështetje konkrete financiare dhe lehtësim për të gjithë fermerët shqiptarë. Buxheti për këtë sektor do të jetë 30 miliardë lekë çdo vit, me indeksim progresiv në vitet në vazhdim”, tha Bajrami.

Sipas Bajramit do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë për blegtorinë, duke përfshirë pagesa direkte për krerët dhe njësitë e prodhimit, për të katërfishuar numrin e krerëve dhe prodhimit vendas.

“Pesëfishim i pagesave për bagëtitë e imta, nga 12 euro në 60 euro. Financimi i fermave blegtorale do të jetë 200 euro për krerë lope dhe pragu i përfitimit do të ulet në 3 krerë nga 10 që është aktualisht, si dhe në 20 krerë nga 100 që është aktualisht për tufat e imta”, tha Bajrami.

“Do të përjashtohen nga taksat dhe tatimet për 5 vite dhe do të mbështeten me grant prej 10 mijë eurosh çdo vit bizneset e reja bujqësore familjare (start-up)”, tha ajo.

Në fokusin e veçantë të programit të Partisë së Lirisë është edhe mbështetja për fermerët e Tiranës.

“Dyfishimi i rrënjëve të ullinjve të mbjella në qarkun e Tiranës nga 500 mijë në 1 milion rrënjë”, tha Bajrami.

“Shpërndarja falas e fidanëve të certifikuara autoktone të varietetit të mirënjohur vendas “Bardhi i Tiranës”, si dhe pagesë e menjëhershme prej 500 euro për hektar ullinj të mbjellë”, tha më tej ajo.

“Mjalti i kullotave të malësisë së Tiranës do të jetë në vëmendje të veçantë. Do të ofrohet pagesë prej 50 euro për çdo koshere”, tha Bajrami.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›