Bardhi: Rama nuk i ka bërë krenarë shqiptarët, por i detyroi të largohen

TIRANË, 12 maj/ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i “Rithemelimit” të PD-së, Flamur Noka, dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj kanë zhvilluar sot një takim me strukturat e kësaj force politike në Kukës.
Në fjalën e tij, Bardhi foli për takimin që kryeministri Rama zhvilloi sot me diasporën shqiptare në Ahinë.
Bardhi tha se e vetmja gjë që u ofroi, ishte një koncert.
“Rama shpopulloi vendin dhe shkon në Greqi me moton “Krenar për ju”. Ai nuk i ka bërë krenarë shqiptarët, por i detyroi të largohen. Edhe sot, atje në Athine nuk po u ofron asgjë veç një koncerti. Si mundet një qeveri t’i bëjë krenarë qytetarët e saj? Jo duke bërë koncerte, por duke u ofruar një ekonomi me të mirë, pensione më të mira, shkollim më të mirë, rroga më të mira, spitale më të mira”, u shpreh ai.
Bardhi, tha se të flasësh se si qeveris Edi Rama, është humbje kohe për faktin se këtë, më mirë se gjithkush, e dinë qytetarët të cilët vujanë çdo ditë.
“Është koha që të kalojmë në veprime. Të bëhemi bashkë që, këtë vit, të bëjmë realitet atë që Kukësi e nisi në vitin 2021: largimin e Edi Ramës” tha Bardhi.