E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bardhi: SPAK të hetojë aferën e termocentraleve lëvizës në Vlorë

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot se i ka kërkuar SPAK-ut të nisë hetimin për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj për dy termocentralët lëvizës të vendosur në Vlorë.

Në një deklaratë për mediet, Bardhi tha se dy termocentralet nuk u vendosën kurrë në punë.

“Termocentralet lëvizës “Tigri 1” dhe “Tigri 3” u sollën me urgjencë nga fundi i botës për një krizë imagjinare energjetike të shpallur nga Edi Rama, disa muaj përpara nisjes së luftës në Ukrainë, që solli pasiguri globale dhe çmime të larta në tregun e energjisë. Madje as atëherë, Tigrat e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës nuk u vendosën në punë, duke provuar se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike”, deklaroi ai.

Ai e cilësoi këtë si histori të ngjashme me atë të inceneratorëve.

Sipas Bardhit, kompania fituese Excelarate Energy, në regjistrat zyrtarë amerikanë, ka referuar që në janar se ishte njoftuar nga shteti shqiptar për shpalljen fituese.

“Pra, ndërkohë që tenderi në Shqipëri ishte ende i hapur formalisht, kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse amerikane se e kishte fituar atë. Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Belinda Balluku, e shpalli fituesin në mars 2022”, shtoi Bardhi.

“Kosto ditore e aseteve që nuk prodhojnë energji, është 94 mijë e 500 dollarë. Në total llogaritet rreth 69 milionë dollarë vetëm për qiranë, operimin dhe mirëmbajtjen. Plus 2.6 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës, plus 7.2 milionë euro për depozitim dhe ngarkim-shkarkim i lëndës djegëse, plus 1.7 milionë euro siguracion për Termocentralin Lundrues. Janë rreth 80 milionë euro, por që kostoja është akoma më e lartë, pasi KESH ka shpenzuar miliona edhe për të bërë funksionalë Tigrat dhe për t’i lidhur ata në rrjetin energjetik shqiptar, pasi TEC-et lëvizëse operonin me një nivel të ndryshëm tensioni nga ai i sistemit shqiptar”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, energjia e prodhuar nga termocentralet është 100%-160% më e shtrenjtë se çmimi mesatar në tregun ndërkombëtar të energjisë për kohën.

“Çmimi shumë i lartë që këto termocentrale lëvizëse prodhojnë është konstatuar edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, tha ai.

Bardhi deklaroi se “janë 11.3 kilogramë prova në letër për korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, shkeljen e barazisë në tendera dhe abuzimin me pushtetin të numrit 2 të qeverisë së Edi Ramës”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›