E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

NJU DELHI – BE dhe India synojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë deri në fund të vitit

NJU DELHI/BRUKSEL, 28 shkurt /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian dhe India synojnë të arrijnë një marrëveshje të tregtisë së lirë deri në fund të vitit 2025, njoftuan sot në Nju Delhi, kryeministri indian Narendra Modi dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Ne i kemi drejtuar ekipet tona të përfundojnë një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë, me përfitim reciprok, deri në fund të këtij viti”, tha Modi, duke folur së bashku me Von der Leyen.

Puna për një marrëveshje të tregtisë së lirë midis BE-së dhe Indisë, megjithatë, ka qenë e vështirë në të kaluarën.

Negociatat u nisën për herë të parë në vitin 2007, por u pezulluan në vitin 2013 për shkak të një boshllëku në ambicie”, sipas KE-së.

Bisedimet midis dy palëve për një marrëveshje të tregtisë së lirë rifilluan tre vjet më parë. Raundi tjetër është planifikuar për në mars në Bruksel.

“Vizita juaj në Indi i ka shtuar një energji dhe entuziazëm të ri partneritetit tonë. Kjo vizitë do të veprojë si katalizatori dhe do ta shndërrojë ambicien tonë në veprim”, tha Modi.

“Tani, më shumë se kurrë, përmbajtja gjeopolitike kërkon veprim vendimtar”, tha Von der Leyen.

Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, tensionet me Kinën dhe sanksionet ekonomike ndaj Rusisë kanë nxitur Brukselin për lidhje më të thella tregtare me ekonomitë e tjera.

Von der Leyen vizitoi Indinë së bashku me disa nga komisionerët e saj të BE-së, të cilët takuan anëtarë të qeverisë indiane.

Bisedimet u fokusuan në çështjet e politikës tregtare dhe ekonomike, bashkëpunimin teknologjik, sigurinë ndërkombëtare dhe veprimin mbi ndryshimet klimatike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›