Bardhi: Salianji vendosi të përballet me burgun politik

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se, vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit për dënimin e Ervin Salianjit ishte një akt i mirëfilltë politik hakmarrjeje.
Në një konferencë për mediet, pas mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi u shpreh se “për ne vendimi i djeshëm gjyqësor nuk është as më shumë e as më pak, por një akt i mirëfilltë politik hakmarrjeje i grupeve kriminale ndaj një deputeti të opozitës që ka pasur guximin t’i drejtojë gishtin lidhjeve mes krimit të organizuar dhe pushtetit të kriminalizuar të Edi Ramës”.
Bardhi tha se, qëndrimi i grupit parlamentar të PD është që të mos pajtohet me këtë padrejtësi. “Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi e për këtë arsye qëndrimi unanim i të gjithë kolegëve të grupit parlamentar ka qenë kërkesa drejtuar kolegut tonë Ervin Salianji që të mos e zbatojë vendimin politik të Edi Ramës, firmosur nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit”, u shpreh Bardhi.
“Vendimi unanim i grupit parlamentar ka qenë që është detyra jonë e të gjithë grupit parlamentar, sepse ky nuk është rast individual i Ervin Salianjit, sot është dënuar çdo anëtar i grupit parlamentar të PD-së, sot është dënuar çdo anëtar i PD-së, sot është dënuar çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që ka vendosur të jetojë në këtë vend dhe të bëjë më të mirën për veten dhe për familjen”, theksoi Bardhi.
Bardhi shtoi se, grupi në mënyrë unanime sugjeroi ngujimin pa afat dhe pa ndërprerje të të gjithë deputetëve të grupit parlamentar të PD-së në selinë e PD-së.
Por, tha Bardhi, “krahas vendimit politik të grupit në këtë rast ne jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të deputetit Ervin Salianji, i cili ka vendosur që me të keqen të përballet edhe me koston e të shkuarit në mënyrë të padrejtë, pa ligj, pa prova në burgun politik që i ka caktuar Edi Rama”.
Bardhi nënvizoi se, “nga ky moment me burgosjen politike të deputetëve të opozitës nuk ka për të pasur asnjë marrëdhënie normale institucionale me shumicën e komanduar nga Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë”.
“Grupi gjithashtu mbështet thirrjen e Kryesisë së partisë për të përshkallëzuar aksionin politik duke nisur nga data 6 tetor me protestën e thirrur dje”, tha Bardhi.