Bardhi: Tender i ri për aferën korruptive të termocentraleve lundrues në Vlorë

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se përjashtimi i tij për 60 ditë nga punimet e Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren, ndërsa siguroi se do të vazhdojë të denoncojë korrupsionin e qeverisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi reagoi ndaj shpalljes së fituesit të tenderit të ri prej 18,6 milionë eurosh nga KESH, për operimin dhe mirëmbajtjen e dy termocentraleve lundrues në Vlorë, gjatë dy viteve të ardhshme.
“Rasti i ‘Tigrave të Vlorës’, dy karakatina lundruese që po u kushtojnë shqiptarëve mbi 100 milionë euro, është një tjetër arsye pse nuk do të hesht…KESH ka shpallur fituesin e një tenderi të ri prej 18.6 milionë eurosh, pa TVSH, për operimin dhe mirëmbajtjen e dy Tigrave, gjatë dy viteve të ardhshme. Pra, një kontratë e re milionëshe për të mbajtur në funksion dy termocentrale që Shqipërisë nuk i duhen”, shtoi ai.
Bardhi tha se kjo nuk është fatura përfundimtare, pasi karburanti dhe shpenzimet e tjera që mbulohen veçmas nga KESH do t’u shtohen parave që shqiptarët duhet të paguajnë.
“Ky është akti i dytë i së njëjtës aferë korruptive”, tha Bardhi.
Sipas tij, akti i parë nisi me kontraktimin e dy termocentraleve lundruese, nën pretekstin e një krize energjetike që nuk erdhi kurrë. “Për këtë aferë, kam dorëzuar në SPAK një kallëzim penal, të shoqëruar me dokumentacion zyrtar që provon paracaktimin e fituesit, garën fiktive, favorizimin e kompanisë dhe kostot e pajustifikuara. Rreth 70 milionë euro janë paguar tashmë për këtë projekt, ndërkohë që ajo pak energji e prodhuar nga këto termocentrale ka kushtuar rreth 675 euro për MWh, kundrejt 111 eurove në pikun e çmimeve të bursës. Gjashtë herë më shtrenjtë”, shtoi ai.
/m.m/r.e/a.f/