E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit: Gjykata Kushtetuese na imponon konsensus

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot në Kuvend se “për ndryshimet në Rregulloren, Gjykata Kushtetuese na imponon konsensus”.

Bardhi vlerësoi rolin konstruktiv që luajti në këtë proces Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

“Dua t’ju vlerësoj për përpjekjen për të krijuar një minimum dialogu në një mazhorancë që, për fat të keq, nuk është dalluar ndonjëherë për kulturë kompromisi. Do të ishte fantastike sikur mirëkuptimin e gjetur këto ditë për Rregulloren e Kuvendit ta kishim gjithmonë kur ky Parlament vendos për rregullat e lojës”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se të paktën duhet të ketë konsensus për ato çështje ku preken interesat kombëtare, pasuritë publike, rregullat e zgjedhjeve apo mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve.

“Por për fat të keq, në 13 vite pushtet të Edi Ramës, rastet e konsensusit real për këto çështje madhore numërohen me gishtat e vetëm një dore. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse Edi Rama nuk është njeri i kompromisit. Është e kundërta e tij. Ai nuk e sheh kompromisin si forcë demokratike, e sheh si dobësi. Nuk e sheh opozitën si pjesë të sistemit demokratik, e sheh si pengesë për pushtetin e tij personal”, u shpreh më tej Bardhi.

Prandaj, sipas tij, ka edhe dhjetëra ligje të qeverisë të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese.

“Unë e di se ky nuk është një moment reflektimi i Partisë Socialiste për një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, kjo çështje nuk është thjesht debat për disa nene të rregullores së Kuvendit. Si me to, si pa to, në këtë Kuvend do të vazhdojë të sundojë mentaliteti se pushteti nuk ka kufij dhe se kartonët janë mbi gjithçka”, shtoi Bardhi.

Bardhi kujtoi se sot Shqipëria është nën monitorim politik dhe institucional për standardet demokratike, funksionimin e institucioneve, respektimin e shtetit të së drejtës dhe raportin me opozitën.

“Rezoluta e Parlamentit Europian ia ka bërë të qartë se integrimi europian kalon përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimit të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj askush nuk duhet të mashtrohet nga ky episod i vogël kompromisi i Rregullores, sepse kjo nuk është një kthesë reale demokratike, por një tërheqje e detyruar e Edi Ramës”, shtoi ai.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›