E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi për plagosjen e një të riu gjatë protestës: Prokuroria të identifikojë pa vonesë autorin

TIRANË, 24 tetor/ATSH/- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me plagosjen e një të riu gjatë protestës së sotme në Tiranë.

Në një postim nê rrjetet sociale, Bardhi kërkon identifikim të menjëhershëm të autorit që sipas raportimeve, dyshohet se plagosi me fishek gome të riun Erjon Vishkulli.

Bardhi thekson se “Prokuroria e Tiranës duhet të veprojë menjëherë, pa asnjë vonesë, për të identifikuar urdhëruesin dhe autorin e këtij akti makabër, të qëllimit me plumb në sy ndaj një të riu, i cili në këto momente po lufton në sallën e operacionit për të shpëtuar shikimin në syrin e majtë. Sot, jo nesër”.

Ai shton se kushdo që ka urdhëruar dhe kushdo që ka kryer këtë akt të rëndë duhet të identifikohet, të vihet përpara drejtësisë dhe të arrestohet pa asnjë vonesë, në përputhje me ligjin.

“Nesër mund të jetë tepër vonë. Prokuroria dhe organet ligjzbatuese duhet të dëshmojnë me veprime konkrete se jeta dhe shëndeti i çdo qytetari janë të shenjta dhe se askush nuk është mbi ligjin kur cenon të drejtat dhe integritetin fizik të një të riu. Erion Vishkuli është një i ri patriot, tifoz ultras i Kombëtares dhe i Elbasanit, i cili protestonte për një Shqipëri më të mirë. Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe nuk ka bërë asnjë faj që të justifikojë një dhunë të tillë. Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë një akt të tillë makabër”, shprehet Bardhi.

Gjithashtu, Bardhi shprehet se “në këto momente të rënda, lutemi të gjithë për shëndetin e Erionit dhe për rikuperimin e tij të plotë. Jemi pranë tij dhe familjes së tij, me solidaritet dhe mbështetje të pakushtëzuar. Drejtësi për Erionin! Asnjë vonesë, asnjë tolerim, askush mbi ligjin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›