Berisha: Protestuesit u përballën për nëntë orë me policinë, hetim për të lënduarit dhe veprimet e efektivëve

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sot efektivët e Policisë së Shtetit për përdorim të dhunës ndaj protestuesve gjatë tubimit të sotëm në Tiranë, ndërsa kërkoi nga Prokuroria hetimin e rasteve të të lënduarve dhe identifikimin e punonjësve të përfshirë në ngjarje.
Në një konferencë për mediet, Berisha theksoi se gjatë protestës janë përdorur armë në kundërshtim me rregullat dhe se disa protestues kanë pësuar dëmtime të rënda.
Berisha u shpreh se një prej protestuesve, Erjon Vishkurti ka humbur njërin sy, ndërsa protestues të tjerë janë lënduar në sy, në zonën e vetullës dhe në abdomen.
Ai përmendi gjithashtu rastin e 40-vjeçarit Lorenco Bezani, për të cilin tha se është goditur në kokë dhe në trup.
“Erjon Vishkurti humbi syrin. I diplomuar në gazetari, ndërkohë që në mënyrë absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm ndaj askujt. Në sy u plagos një protestuese paqësore tjetër; mbi vetull u godit me plumb një protestues tjetër; në abdomen me plumb, që duhet heq në operacion. Akte barbare. 40-vjeçari Lorenco Bezani u shkelmua barbarisht në kokë e trupi në kënd, pa asnjë akt, nuk kryente asnjë akt dhune. Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën”, tha Berisha.
Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve në protestë, duke e cilësuar atë si një përballje që zgjati nëntë orë.
“Unë kam një mirënjohje të pakufishme ndaj studentëve dhe guximit, trimërisë së tyre. Dua të falënderoj përzemërsisht ata mijëra qytetarë të Tiranës, që sot u shkrinë në një, me vajzat dhe djemtë e tyre dhe të shqiptarëve”, u shpreh ai.
Berisha falënderoi gjithashtu sindikatat e arsimit, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, përfaqësues të profesioneve të ndryshme, minatorë, intelektualë, drejtues dhe mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët iu bashkuan protestës.
Ai dënoi edhe incidentet ndaj gazetarëve, duke theksuar se reporterit Klevin Muka i është hedhur lëndë djegëse, ndërsa një reporter amerikan është shoqëruar në komisariat.
Berisha gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë veprimet e punonjësve të policisë dhe të sigurojë provat që lidhen me ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë protestës.
“I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit”, deklaroi ai.
Kryetari i PD-së shprehu mirënjohje për mbështetjen që u është dhënë protestuesve nga përfaqësues në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës dhe Bundestag.
/gj.m/r.e/ /a.g/