Bardhi rikthen Berishën në grup, anulohen masat displinore për “non gratën”

Pas dy vite e gjysmë, lideri historik i demokratëve Sali Berisha kthehet si anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi se Sali Berisha, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi e Edmons Spaho nga sot janë anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
“Grupi parlamentar i PD ka vendosur të anulojë të gjitha masat disiplinore.”
Ky njoftim lakonik i kryetares së kuvendit Lindita Nikolla i jep fund një debati të ashpër brenda partisë më të madhe të opozitës, që nisi në vitin 2021. Në 19 majin e 2021 lideri historik i demokratëve Sali Berisha u shpall “non grata” nga sekretari amerikan i shtetit Blinken dhe në 30 korrikun e atij vitit ambasadorja amerikane në Tiranë shkoi në selinë e PD për t’i kërkuar Lulzim Bashës largimin e Berishës nga PD, duke përdorur një nga shprehjet më të forta që një diplomat ka përdorur ndonjëherë
“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu.”
Në shtatorin e vitit 2021, një ditë para se të fillonte punimet Parlamenti, kryetari i PD, Lulzim Basha vendosi të dëgjojë Shtetet e Bashkuara dhe pezulloi liderin historik të demokratëve nga grupi parlamentar demokrat.
Nga 10 shtatori Sali Berisha nisi betejën për t’u rikthyer jo thjesht në grupin parlamentar të PD, por për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Sot pas më shumë se dy vite e gjysmë Sali Berisha ka mbështetjen e shumicës së deputetëve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike dhe nuk ka dyshime se ai përfaqëson forcën më të madhe të politike të opozitës. E vetmja betejë që Berisha nuk ka arritur ende ta fitojë brenda PD është vula e PD, fati i së cilës do të vendoset në gjykatën e Apelit.