Bardhi takim me zyrtarin e DASH: SHBA, partner kyç për mbështetjen e Shqipërisë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, si dhe disa deputetë të PD-së zhvilluan një takim me drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Mark Fleming.
Bardhi, i cili publikoi detaje mbi bisedën tha se në fokus të takimit ishte roli i SHBA-së në mbështetjen e reformave në Shqipëri dhe në përparimin e vendit drejt integrimit europian.
Bardhi theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë, veçanërisht në forcimin e institucioneve demokratike.
Ai vuri në dukje se vendi ka nevojë për një luftë reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nënvizuar se kjo sfidë kërkon një qeverisje të përgjegjshme dhe një drejtësi të pavarur, të bazuar në integritet dhe ligjshmëri.
“Lufta ndaj krimit të organizuar duhet të jetë prioritet i çdo vendi anëtar të NATO-s. Shqipëria ka nevojë për luftë reale ndaj krimit të organizuar, dhe për këtë nevojitet një qeverisje e përgjegjshme, e pa lidhur me krimin e organizuar, si dhe një drejtësi të pavarur dhe me integritet. SHBA ka qenë dhe mbetet një partner kyç në mbështetjen e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane”, u shpreh Bardhi.
/r.e/a.f/